Në rajonin e Bizës po zhvillohet stërvitja “Sfida e Përbashkët – 16” nga Policia Ushtarake, e cila ka filluar më 9 korrik dhe përfundon më datë18 korrik 2016.
Qëllimi kryesor i stëtvitjes është harmonizimi dhe realizimi i detyrave të Policisë Ushtarake në operacione për të ndërvepruar ndaj rreziqeve, rritja e nivelit të aftësive profesionale dhe personale në përmbushjen e detyrave operative, për dhënien e kontributit të tyre në mbështetje të FA-së, në operacionet e emergjencave civile dhe krizave humanitare.
Sot, në Ditën e Vizitorëve të Shquar të stërvitjes “Sfida e Përbashkët – 16”, trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje improvizuan ushtrime me tematikë të skenarit tëstërvitjes, pjesë e angazhimit të Policisë Ushtarake në emergjencat civile në mbështetje të Forcavetë Armatosura.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, pasi falenderoi efektivët për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, theksoi se kjo stërvitje ishte shumë e rëndësishme për të testuar kapacitetin planizues të Shtabit të Policisë Ushtarake dhe kapacitetin operacional të nënreparteve të Policisë Ushtarake në ndihmë të FA-së, në rastin e krizave humanitare apo të emergjencave civile. “Kuptohet që aftësitë planëzuese, aftësitë për menaxhim dhe organizim deri në detaj, të operacioneve të nënreparteve të Policisë Ushtarake, testuan edhe njëherë aftësitë e Shtabit të kësaj strukture, për të përballuar me sukses operacione të mundshme në të ardhmen”, -shtoi ai.
“Sfida e Përbashkët – 16” synon gjithashtu të testojë kapacitetet operacionale të nënreparteve të Policisë Ushtarake në mbështetje të Forcave të Armatosura të angazhuara gjatë emergjencave civile dhe krizave humanitare.
Në Ditën e Vizitorëve të Shquar të stërvitjes“Sfida e Përbashkët – 16” ishin gjithashtu të pranishëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, ushtarakë të lartë të FA, si dhe të ftuar të tjerë