Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, inspektoi në Pukë projektet e investuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.
Rilindja Urbane, tha ajo gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë e Pukës, ka ardhur në këtë qytet me dy projekte të mëdha në vitin 2016.
Ndërkohë që tjetër projekt, më i vogël në vlerë, është zbatuar në vitin 2014. Për këto vite 2014 – 2016 në Pukë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve janë investuar rreth 150 milionë lekë.
Sipas saj, projektet e paraqitura në këto vite në Fondi i Zhvillimit të Rajoneve nga bashkia Pukë kanë qenë projekte cilësore.
Ministrja Gjermeni u shpreh se projekti i sistemimit të lagjes pranë Pallatit të Kulturës po ecën me ritme intensive. Gjermeni shpjegoi se po ndërhyhet në pallate të ndërtuara prej gati 50 vitesh e nga ku përfiton një komunitet i gjerë qytetarësh, pasi do të kenë gjelbërim, rrugë të sistemuara, park autobusash.
Gjermeni po ashtu theksoi se edhe projekti i dytë për rigjenerimin e shëtitores qendrore është në proces prokurimi dhe do të nise shumë shpejt zbatimin.
Mes Bashkisë Pukë dhe Entit Kombëtar të Banesave, informoi ajo, do të nisë shumë shpejt puna për ndërtimin e banesave me kosto të ulët përmes një fondi prej 40 milionë lekësh. (java / r.a)