6 mijë banorë të Vaut të Dejës dhe 400 nxënës të Shkollës së Mesme të Mjedës do të kenë shërbime dhe kushte më të mira.
Në kuadër të projekteve të ndihmës dhe asistencës humanitare për komunitetin, Garda Kombëtare e New York-ut, ajo e New Jersey-it, Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Korpusin e Paqes dhe pushtetin lokal, rikonstruktuan Qendrën Shëndetësore në Vau Dejës dhe Shkollën e Mesme në Mjedë.
Në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të këtyre dy objekteve ishin të pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, David Muniz, komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral brigade Michael Cuniff, dhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila,.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Koçi, tha se këto projekte, dëshmojnë se bashkëpunimi, mes SHBA-së dhe Shqipërisë, është në nivelet më të larta.
Ndërsa komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral brigade Michael Cuniff, tha se inxhinierët e ndërtimit nga regjimenti ajror i New York-ut dhe ai i New Jersey-t kanë bërë një punë të shkëlqyer në këto objekte. “Por ata nuk i kryen vetëm këto punime, ata patën një mbështetje të fuqishme nga Forcat e Armatosura Shqiptare”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, zëvendësambasadori amerikan, David Muniz u shpreh se amerikanët dhe shqiptarët, duke punuar së bashku e bënë të mundur këtë projekt:
Bashkëpunimi midis ushtrisë amerikane dhe shqiptare ka qenë shumë konkret. Projekti është në vijim të forcimit të marrëdhënieve afatgjata pozitive, publike dhe me vullnetin e mirë të koordinimit me autoritetet civile të Bashkisë Vau Dejës, Bashkëpunimit Civilo – Ushtarak, si dhe Zyrës së Bashkëpunimit Amerikan në Ministrinë e Mbrojtjes. (java / r.a)