Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe ambasada e Suedisë në Shqipëri, shpallën Qendrën për Edukimin Ekonomik dhe Biznesin (CEBE) si fituesin e parë të grantit për projektin “Turizmi si Potencial Zhvillimi”.
Në 32 muajt e ardhshëm, CEBE do të krijojë dhe do të verë në funksion të parin Fond në Shqipëri për Investimet dhe Financimin në Turizëm, një fondacion shumë-partnerësh, në pronësi të anëtarëve dhe jofitimprurës, që do të investojë dhe do të këshillojë sipërmarrjet e vogla, ekzistuese ose të reja, në sektorin e turizmit.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, përfaqësuesi i USAID-it, Marcus A. Johnson, përfaqësuesja e Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Suedisë, Birgitta Jansson, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, dhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mbajtën fjalën e rastit në ceremoninë e shpalljes së Fondit.
Fondi për Investimet dhe Financimin në Turizëm, me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të bashkive Belsh (Qarku Elbasan), Himarë dhe Tiranë, do të investojë në sipërmarrjet e vogla te agroturizmit dhe ekoturizmit në zonën e Liqeneve të Belshit, të Himarës së Vjetër dhe të Pëllumbasit.
Gjatë 5 vjetëve të ardhshëm, Shtetet e Bashkuara dhe Suedia do të investojnë 6 milionë dollarë, që do të bashkohen me 3 milionë dollarë fonde nga projektet fituese, për të nxitur krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në sektorin e turizmit në Shqipëri./a.k