Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mesazh ngushëllimi dy Presidentëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës, Claude Bartolone, dhe Gerard Larcher pas sulmit terrorist në Nicë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u ka nisur sot një mesazh ngushëllimi dy Presidentëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës, Claude Bartolone, dhe Gerard Larcher, pas sulmit terrorist në qytetin e Nicës mbrëmë në darkë.
Në mesazhin e tij, Kryetari Meta shprehet:
I nderuar Zoti President,
Më lejoni t’Ju përcjell në emër të Kuvendit të Shqipërisë keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të sulmit tronditës që ndodhi mbrëmë vonë në darkë në qendër të qytetit Nice, duke uruar njëkohësisht nga zemra shërim të shpejtë për të gjithë ata qindra qytetarë dhe fëmijë të plagosur.
Sulmi i djeshëm është një sulm ndaj të gjithë qytetarëve evropianë, ndaj Shqipëria dhe populli shqiptar gjenden sot përkrah popullit francez dhe në solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët e Nicës. Terrori nuk mund të cënojë lirinë dhe vlerat e shoqërive tona demokratike, ndaj duhet të intensifikojmë bashkëpunimin dhe koordinimin mes vendeve tona aleate në interes të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të pafajshëm që jetojnë në hapësirën evropiane.
Sot Shqipëria është një me Francën dhe populli shqiptar është një me popullin francez. Me solidaritetin tonë të plotë dhe duke dënuar këtë akt të tmerrshëm terrorist, Ju siguroj se gjendemi përkrah Jush dhe miqve tanë francezë në këto ditë të vështira zie kombëtare.