Nga Besar Likmeta
Gjyqtarët në Shqipëri bien shpesh pre e akuzave për korrupsion dhe anësi politike. Megjithatë, asnjë gjyqtar nuk ka qenë më shumë në shënjestrën e politikanëve dhe medias se sa Gjin Gjoni.
Për Kryeministrin Edi Rama, Gjoni është aq “fenomenal” sa është kthyer në një shembull për krimbjen e sistemit të drejtësisë në kancelaritë e huaja.
Ndryshe mendon paraardhësi i tij Sali Berisha, i cili gjatë një seance parlamentare u shpreh se ata që ngrenë akuza ndaj Gjonit duhet të “lajnë gojën” përpara se të flasin, sepse ai ka pasur kurajën të përballet me drejtësinë.
Edhe pse politikanët, si në shumë fusha të tjera nuk bien dakord mbi cilësitë e Gjonit si gjyqtar, mbetet fakt se ai është zyrtarisht gjyqtari më i pasur në Shqipëri – me një pasuri të deklaruar familjare të vlerësuar nga ILDKPKI në rreth 2 milionë euro.
Burimet e rritjes së kësaj pasurie marramendëse për çdo zyrtar shqiptar, brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë, kanë qenë dhe fokusi i një hetimi të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, i cili e ka kallëzuar gjyqtarin Gjoni dhe bashkëshorten e tij Elona Çaushi, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Kallëzimi i ILDKPKI-së, i bërë fillimisht në Prokurorinë e Përgjithshme, është transferuar për hetim në Prokurorinë e Elbasanit, ku shtyrjet e vazhdueshme të afateve hetimore nga ana e prokurorëve janë kundërshtuar në gjykatë nga çifti Gjoni-Çaushi.
Megjithë akuzat e rënda me të cilat përballej, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ashtu si dhe Gjykata e Elbasanit refuzuan ta pezullojnë nga detyra Gjonin, gjatë periudhës që ishte nën hetim. Ndërkohë, nëpërmjet padive për procedurë anëtari i KLD-së i ka futur në qorrsokak hetimet e Prokurorisë së Elbasanit, deri sa praktikisht Gjykata ka vendosur mbylljen e tyre përpara se prokurorët të merrnin një vendim mbi çështjen.
Përfundimisht, çështja kundër Gjonit dhe Çaushit është vulosur nga një vendim i Gjykatës së Apelit në Durrës, e cila pasi ka shqyrtuar ankesat e palëve ka arritur në përfundimin që përsa i përket akuzave të drejtuara ndaj bashkëshortëve “fakti nuk ekziston”.
Gjoni dhe Çaushi i kanë hedhur vazhdimisht poshtë akuzat e ILDKPKI-së si të motivuara politikisht, ndërkohë që bashkëshortja e gjyqtarit ka deklaruar se në shënjestër kanë qenë edhe bizneset që ajo drejton.
“Që kur sulmi ndaj bashkëshortit tim filloi, e kisha të qartë skemën se e dyta në radhë do isha unë,” tha Çaushi në një intervistë për gazetën Panorama. “Çdo biznes i imi është gjobitur në mënyrë të pandërprerë dhe persistente,” shtoi ajo.
I kontaktuar nga BIRN, Gjoni refuzoi të komentonte mbi akuzat e ILDKPKI-së dhe proceset gjyqësore që pasuan kallëzimin penal ndaj tij.
Pasuria e (deklaruar) çiftit Gjoni-Çaushi
Gjyqtari Gjin Gjoni ushtron detyrën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga qershori 2013. Ai ka përfunduar studimet në kursin e përshpejtuar të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1993-1994, si dhe një Master në “E drejta Europiane e Biznesit” në të njëjtin universitet.
Përpara emërimit si anëtar i KLD-së, Gjoni ka shërbyer në Gjykatën e Apelit në Tiranë, dhe më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Për shkak të funksioneve të tij publike në sistemin e drejtësisë, Gjoni është subjekt i deklarimit të pasurisë nga viti 2003 e në vazhdim.
Sipas deklaratave të interesave private të administruara nga ILDKPKI, Elona Çaushi është bashkëjetuese me gjyqtarin Gjin Gjoni që nga viti 2003, kur ky i fundit ka deklaruar se ndajnë bashkë qiranë e apartamentit ku fillimisht kanë jetuar.
Para vitit 2010, znj. Çaushi ka deklaruar pasurinë në ILDKPKI si e bija e ish ambasadorit dhe diplomatit të karrierës Shpëtim Çaushi. Nga deklarata e vitit 2011 e në vazhdim, Elona Çaushi deklaron në ILDKPKI si bashkëshortja e subjektit Gjin Gjoni.
Gjatë hetimit të pasurisë së gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi, përveç deklaratave vjetore të pasurisë të administruara nga të dy subjektet, ILDKPKI ka mbledhur të dhëna suplementare nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Transportit Rrugor, bankat e nivelit të dytë dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, QKR.
Kallëzimit i dorëzuar në Prokurori nga ILDKPKI, ka ardhur pas një analize të deklaratave të dorëzuara nga gjyqtari Gjin Gjoni nga viti 2003 në vitin 2012, dokumentacionit të mbledhur nga korrespondenca me institucionet e tjera të specializuara, si dhe shpjegimeve të dhëna nga subjekti në procesverbalet e mbajtura.
Sipas deklaratave të pasurisë të administruara nga Inspektorati, Gjin Gjoni nga viti 2003 deri në vitin 2007 nuk disponon pasuri të paluajtshme, ndërkohë që ka deklaruar dhe i konfirmohen dy automjete në emër te vëllait Andrea Gjoni.
Në vitin 2008 Gjoni ka blerë një dyqan me sipërfaqe 30 metra katror me vlerë 55,000 euro, pasi ka marrë një kredi 90,000 euro nga banka NBG, me bashkëkredimarrëse bashkëjetuesen Elona Çaushi.
Në vitin 2010 Gjoni ka deklaruar 14,000 euro të ardhura nga shitja e makinës që i përket të vëllait Andrea Gjoni, dhe ka blerë një automjet me vlerë 62,000 euro, në bashkëpronësi me Elona Çaushin. Makina është likuiduar me një këst prej 25,000 euro dhe një kredi prej 37,000 euro, e marrë nga kompania LandesLease Sh.A.
Në vitin 2010, Elona Çaushi ka deklaruar në ILDKPKI si person i lidhur me subjektin Shpëtim Çaushi. Ajo ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 240,320 euro dhe 180,000 USD, 298,000 euro huadhënie ish bashkëshortit, shtetasit gjerman Werner Mehbler, 100,000 euro huadhënie shoqërisë “ADFD” dhe një llogari kursimi në Strasburg në vlerën 90,000 euro.
Në vitin 2011, Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë celebruar martesën e tyre dhe si bashkëshortë kanë një deklaratë të përbashkët në ILDKPKI, në të cilën kanë deklaruar blerjen e një apartamenti me vlerë 53.2 milionë lekë në Tiranë. Të ardhura $180,000 dhe 140,000 euro nga shitje pasurish të paluajtshme. Gjatë të njëjtit vit, çifti ka deklaruar 56,100 euro kthim huaje nga “ADFD,” 17.3 milionë lekë dividend nga “ADFD,” si dhe kthim 109, 896 euro hua nga Werner Mehbler, ku përfshihet 80,000 euro principal dhe pjesa tjetër interesa.
Në vitin 2012 gjyqtari dhe bashkëshortja e tij e përfshirë në fushën e biznesit deklarojnë të kenë blerë një dyqan 77 metra katrorë në Tiranë, llogari 67,180 euro në Strasburg dhe tërheqje dividendi 30 milionë lekë nga kompania “ADFD.”
Gjatë këtij viti, Gjoni dhe Çaushi deklarojnë gjithashtu se kanë porositur një vilë rezidenciale me vlerë 700,000 euro në kompleksin Rolling Hills, në fshatin Farkë të Tiranës. Ata kanë deklaruar se nuk kanë kryer asnjë pagesë për vilën edhe pse sipas kontratës së sipërmarrjes thuhet se kësti i parë prej 90,000 euro dhe 3,498 euro për impiantin e vaditjes, janë paguar në momentin e nënshkrimit.
Akuzat e Inspektoratit
Për të justifikuar me burime financiare pasuritë e deklaruara, Elona Çaushi në një procesverbal të mbajtur në ILDKPKI ka sqaruar se në vitin 2007 ajo i ka shitur 70% të aksioneve të kompanisë “ADFD” shoqërisë gjermane “Gebr Heinemann Albanien Holding GmbH,” për një vlerë 300,000 euro.
Kompania “ADFD” ishte themeluar në vitin 1997 nga Çaushi dhe ish-bashkëshorti i saj Werner Mehlber, ku secili zotëronte 50% të kuotave. Në vitin 2004, Mhebler i shet Çaushit kuotat e tij për 50,000 lekë dhe ajo bëhet 100% pronare e kompanisë. Tre vjet më vonë në vitin 2007, Çaushi ia shet 70% të kuotave të kompanisë gjermane, “Gebr Heinemann Albanien Holding GmbH.”
Por ndryshe nga sa pretendon Çaushi në procesverbalin e mbajtur në ILDKPKI, Inspektorati thotë se kuotat e kësaj kompanie nuk janë shitur për 300,000 euro, por për 70,000 lekë.
Në ILDKPKI Çaushi ka paraqitur një kontratë Nr.384 rep, Nr 139 kol, të datës 20.03.2007 me vlerën 300,000 euro. Megjithatë, dokumentacioni origjinal i kompanisë që vërteton të njëjtën shtije, i administruar nga ILDKPKI nga QKR, tregon që kontrata Nr.384 rep, Nr 139 kol, datë 20.03.2007 ka një vlerë 70,000 lekë.
Shuma e shitjes së aksioneve prej 70,000 lekë specifikohet dhe në kërkesën e bërë nga Çaushi drejtuar Gjykatës së Tiranës për shitjen e kuotave të kompanisë si dhe në vendimin e gjykatës. Sipas ILDKPKI-së kontrata e paraqitur nga Çaushi në ILDKPKI si dhe deklarimet e saj janë të rreme.
Gjithashtu, pasi i shiti 70% të kuotave të kompanisë “ADFD” ” shoqërisë gjermane “Gebr Heinemann Albanien Holding GmbH,” Çaushi e ka paditur këtë të fundit dhe pas dy vendimeve të debatueshme të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe Gjykatës së Apelit, në dhjetor 2010 ajo ka arritur përsëri të marrë në pronësi 100 % të aksioneve të kompanisë, e cila menaxhon dyqanin “Duty Free” në aeroportin e Rinasit.
Sipas ILDKPKI, në vitet 2003,2004,2005 dhe 2008 shoqëria “ADFD” ka realizuar një fitim prej 2.79 milionë lekë, ndërsa në vitin 2007 kur është bërë dhe shitja e aksioneve nga Çaushi rezulton me një humbje prej 45 milionë lekë. Ky fakt sipas Inspektoratit i shton dyshimet në favor “të fiktivitetit të veprimeve financiare të deklaruara” nga Çaushi.
“Pra, burimi i krijimit të aseteve është jo i ligjshëm, deklarimi është i rremë dhe ka falsifikim të dokumenteve,” shkruan ILDKPKI në padinë e saj drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme.
Në deklaratat e saj të pasurisë, Çaushi ka deklaruar që i ka dhënë 100,000 euro hua kompanisë “ADFD” në vitin 2005 dhe 2006 si dhe në vitet 2007 dhe 2008 prej 298,000 euro hua ish-bashkëshortit Werner Mehbler.
Sipas dy deklaratave noteriale të bëra përpara noteres Margena Çela, në 21 maj 2010, Mehbler i ka kthyer Çaushit 90,000 euro principal nga huaja dhe 37,908 euro interesa.
Por ILDKPKI dyshon se kjo deklaratë noteriale është e falsifikuar, për arsye se në datën 21 maj 2010, nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, Mehbler nuk ndodhej në Shqipëri.
Gjithashtu nga verifikimet e hyrje-daljeve nga Shqipëria të gjyqtarit Gjin Gjoni dhe shtetases Elona Çaushi nga viti 2004 deri në vitin 2012, rezulton se ato kanë udhëtuar respektivisht 109 dhe 127 herë jashtë vendit, ndërkohë që shpenzimet për këto udhëtime vlerësohen se janë gati 250,000 euro.
Përveç akuzave të mësipërme, Çaushi akuzohet gjithashtu se nuk ka deklaruar pronësinë e tre kompanive, përfshirë ALBCOS-Albanian Cosmetics, “Prestige Group,” dhe “Terra Toscana Alimentari.”
Sipas ILDKPKI, çifti Gjoni-Çaushi ka bërë deklarim të rremë për kontratën e sipërmarrjes së vilës në fshatin Farkë, në kompleksin Rolling Hills me shumën 700,000 euro.
ILDKPKI pretendon se Gjoni dhe Çaushi ka bërë deklarim të rremë në lidhje burimin e blerjes me kredi të një automjeti tip Benz me vlerë 62,000 euro në vitin 2010. Sipas Inspektoratit gjyqtari e ka likuiduar automjetin tek kompania “Auto Star Albania” tre ditë përpara se të lidhte kontratën e kredisë me LandesLease Sh.a.
Gjithashtu, IKDKPKI beson se Gjoni ka gënjyer në deklaratën e tij ku ka deklaruar se ka përfituar 14,000 euro nga shitja e një makine në pronësi të të vëllait Andrea Gjoni. Inspektorati nënvizon që për të gjithë deklaratat e bëra nga çifti, burimi i pasurisë është i dyshimtë.
Personi i besuar
Kallëzimi i ILDKPKI-së kundër Gjin Gjoni dhe Elona Çaushit ka arritur në Prokurorinë e Përgjithshme me datë 23 prill 2014. Përveç dy bashkëshorteve, kallëzimi drejtohej edhe kundër notereve Gentiana Shkodra dhe Margena Çela, të cilat akuzoheshin për falsifikim dokumentesh.
Një javë më vonë, me 30 prill 2014, Prokuroria e Përgjithshme e ka përcjellë kallëzimin për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Pas kallëzimit të bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, ILDKPKI ka bërë më 15 maj 2014 një kallëzim të ri në Prokurorinë e Elbasanit ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni, bashkëshortes së tij, Elona Çaushi, shtetasit Adrian Kondi, noteres Xhevahire Brahaj dhe noteres Majlinda Demollari për veprën penale të falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara në bashkëpunim.
Ky kallëzim i ri i ILDKPKI lidhet me faktin se gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij kanë pasur “interesat private” në disa kompani të regjistruara në Shqipëri, të cilat bien ndesh me rolin e Gjonit si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Sipas deklaratave të bëra nga subjektet në ILDKPKI dhe të dhënave të marra nga Inspektorati në QKR, rezulton se Gjoni është ortak themelues me 50 % të kuotave në shoqëritë tregtare “Bio Gurmet” Sh.p.k, “Best Buy Drug Store” dhe “AlbCos – Albania Cosmetics.”
Nga ana tjetër, Elona Çaushi rezulton ortake me 100 % të aksioneve në kompanitë “ADFD” Sh.p.k “Prestige Group” Sh.p.k dhe Vintage Second-Hand and Neë” Sh.p.k dhe një bar i regjistruar si person fizik.
Sipas nenit 33 të ligjit Nr.9367 të vitit 2005, “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksioneve Publike,” anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë “nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive, aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, të çdo forme.”
Pas konstatimit të konfliktit të interesit, ILDKPKI i ka kërkuar shpjegime gjyqtarit Gjin Gjoni në lidhje me konfliktin e konstatuar. Në përgjigje të korrespondencës me ILDKPKI Gjoni ka paraqitur një seri akt-marrëveshjesh dhe deklaratash noteriale, sipas të cilave ai ka emëruar si “person të besuar” për kompanitë e lart-përmendura z. Adrian Kondi.
ILDKPKI ka konstatuar që akt-marrëveshjet për emërimin e Kondit nuk reflektoheshin nga QKR në një përgjigje për Inspektoratin me datë 2 maj 2014, 10 ditë përpara korrespondencës me Gjonin.
Dokumentet e paraqitura nga Gjoni janë gjetur vetëm më datën 14 maj 2014 në dosjet fizike të dokumenteve shkresore të shoqërive tregtare të pashoqëruara me formën e aplikimit apo veprime të QKR-së për pranimin apo depozitimin e tyre.
“Duke qenë se këto dokumente nuk janë depozituar në regjistrin tregtar sipas një procedure standarde aplikimi, është arritur në përfundimin se ka dyshime të arsyeshme se këto dokumente janë futur në mënyrë të paligjshme në dosjet fizike,” shkruan ILDKPKI në një njoftim për shtyp.
Duke qenë se akt-marrëveshjet e gjetura në dosje dyshohet se janë të falsifikuara, QKR i është drejtuar me një tjetër kallëzim penal Prokurorisë së Tiranës.
Në kallëzimin e drejtuar Prokurorisë së Tiranës, QKR tërheq vëmendjen e organit të akuzës se dokumentet e paraqitura nga Gjin Gjoni, janë të vulosura me një vulë që është përdorur pas datës 20 nëntor 2013, ndërkohë që pretendohet se ato janë dorëzuar një date të mëparshme që nga viti 2010.
Afatet procedurale
Prokuroria e Elbasanit si organ procedues ka vendosur të bashkojë të dy kallëzimit e bëra nga ILDKPKI ndaj Gjonit, Çaushit dhe noterëve në një të vetëm, sipas specifikimeve të kodit të procedurës penale. Këtyre procedimeve i është bashkangjitur edhe një kallëzim i ardhur nga Ministria e Brendshme.
Gjithashtu, kallëzimi i bërë nga QKR në Prokurorinë e Tiranës për falsifikim dokumentesh është transferuar me datë 22 maj 2014, në Prokurorinë e Elbasanit.
Pasi ka bashkuar procedimet penale ndaj Gjonit dhe Çaushit, Prokuroria e Elbasanit i është drejtuar me datë 14 maj 2014 Gjykatës, duke kërkuar pezullimin nga detyra të anëtarit të KLD-së. Kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata e Elbasanit me vendimin nr. 586 datë 16 maj 2014.
Prokuroria e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit në Gjykatën e Apelit në Durrës, por kjo e fundit e ka lënë në fuqi dhe vendimi ka marrë formë të prerë me 3 qershor 2014.
Rezulton se nga ana e organit të akuzës pas regjistrimit të këtij procedimi penal në bazë të kërkesave të nenit 324 të Kodit të Procedurës Penale është kërkuar disa herë zgjatje e afateve hetimore; dhe konkretisht rezulton se pas kalimit te afatit 3 mujor janë realizuar dhe dy zgjatje të tjera me nga tre muaj dhe i gjithë hetimi ka zgjatur 9 muaj.
Pasi organi i Prokurorisë ka kërkuar edhe një zgjatje të tretë të afateve të hetimit, të cilën e ka argumentuar për pritjen e ardhjes së letër porosive nga Gjermania dhe Franca, Gjoni dhe Çaushi e kanë ankimuar kërkesën në Gjykatë.
Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan me vendimin Nr. 1482 ka vendosur pranimin e kërkesës së kërkuesve Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, me objekt “Kundërshtimin e vendimit të prokurorit datë 10 nëntor 2014 për zgjatjen e afatit të hetimit të procedimit penal Nr. 1098 të vitit 2014, në ngarkim të personit nën hetim Gjin Gjoni e Elona Çaushi”, duke caktuar si afat përfundimtar datën 12 shkurt 2015.
Ndaj këtij vendimi, organi i Prokurorisë ka paraqitur ankimin përpara Gjykatës së Apelit Durrës, e cila me 17 mars 2015 ka vendosur të lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit. Ky vendim rezulton se është lënë në fuqi dhe nga ana e Gjykatës së Lartë.
Pas vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit që nuk kanë pranuar zgjatjen e afatit të hetimeve, Prokuroria e Elbasanit i ka pushuar hetimet ndaj gjyqtarit Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi, ndërkohë që ka vendosur që “procedimi penal në tërësi, pa autor, duhet të vazhdojë deri në administrimin e kërkesave për ndihmë juridike nga jashtë shtetit, meqë rezultatet e tyre lidhen dhe me persona të tjerë, të ndryshëm nga personat e hetuar.”
Fakti nuk ekziston
Vendimi i Prokurorisë së Elbasanit për pushimin e hetimeve kundër Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit dhe vazhdimi i tij pa autor është ankimuar në Gjykatën e Elbasanit. Gjykata e Elbasanit me datë 1 qershor 2015 ka vendosur pranimin ankimit të Gjoni dhe Çaushit, duke vendosur pushimin në tërësi të procedimit penal.
Kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit Durrës ka paraqitur ankim organi i akuzës, duke parashtruar se ai nuk bazohej në ligj. Megjithatë, Gjykata e Apelit Durrës e ka çmuar të drejtë vendimin e Gjykatës së Elbasanit.
Sipas Gjykatës së Apelit në Durrës, organi i akuzës nuk duhet të vendoste pushimin e hetimeve sipas nenit 328/f të Kodit të Procedurës Penale ku parashikohet togfjalëshi “në raste të tjera në ligj”, pasi nuk rezulton se Prokuroria i është referuar një ligji tjetër.
Sipas Gjykatës, mosardhja e letër-porosive nga autoritet Gjermane dhe Franceze nuk është shkak për pushimin e hetimeve, por ajo nënvizon se Prokuroria ka qenë e paaftë të vërtetojë “qoftë edhe një element të ndonjë vepre penale” që mund ta dërgonte çështjen për gjykim bazuar në kallëzimet e ardhura nga ILDKPKI apo QKR dhe të tjera institucione.
Gjykata çmon se edhe pse vendimi i Gjykatës së Elbasanit për ndalimin e shtyrjes së afatit të hetimeve nuk i ka dhënë mundësi organit të akuzës të kryejë veprime të tjera hetimore, ky i fundit nuk e ndalonte atë ta dërgonte çështjen në gjyq “nëse do të kishte një provë të vetme kundër dy kërkuesve Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi”
Gjykata e Apelit Durrës ka dhënë një numër argumentesh plotësuese për vendimin e Gjykatës së Elbasanit për pezullimin e procedimi penal të sipërpërmendur, të cilat sipas saj hedhin poshtë nevojën e Prokurorisë për të pritur ardhjen e letërporosive nga jashtë.
Në lidhje me letërporsinë e dërguar në Gjermani mbi kontratën e shitjes se aksioneve të “ADFD” me vlerën 300,000 euro, ashtu si është deklaruar nga Çaushi në procesverbalin e mbajtur në ILDKPKI, Gjykata i referohet të dhënave të përftuara nga bankat e nivelit të dytë.
Si provë për vlerën e këtij transaksioni, Gjykata citon të dhënat e marra nga Prokuroria nga banka Societe Generale Albania dhe komunikimit të saj me degën në Strasburg, nga ku rezulton se llogaria e Elona Çaushit është kreditur nga kompania “Gebr Heinemann”me 150,000 euro në mars 2007. Ndërkohë, 150,000 të tjera janë derdhur nga e njëjta kompani në llogarinë e Çaushit në Tirana Bank 4 korrik 2007.
“Kontrata që pretendohet e falsifikuar nuk është e vërtetë… dhe se burimi është i ligjshëm dhe kjo shumë i përmbys të gjitha hamendësimet për mospasjen e burimeve financiare për vendosjen e pasurisë,”shkruan Gjykata në vendimin e saj.
Gjykata gjithashtu shprehet se me ardhjen në Shqipëri të ish-bashkëshortit të Çaushit, shtetasit gjerman Werner Mehbler, për të dhënë sqarime për kontratat e huasë, bie dhe nevoja për të pritur letër porosinë e dërguar drejt Francës.
Ekspertiza e Policisë Shkencore në lidhje me kontratat e huasë të firmosura midis Mehbler dhe Çaushit në vitin 2010, arrin në përfundimin se nuk ka pasur falsifikime. Megjithatë, për disa nga dokumentet e paraqitura në formë fotokopje, Polica shkencore nuk ka arritur të konkludojë në një përgjigje nëse kemi të bëjmë me falsifikim apo jo.
“Në fotokopjen e dokumentit të sipërcituar [LOAN CONTRACT datë 17.09.2007] ka apo jo ndërhyrje të falsifikimit teknik në kushtet e paraqitjes së këtij dokumenti si fotokopje, nga eksperti nuk mund të konkludohet,” shkruan Gjykata e Apelit Durrës në vendimin e saj.
Edhe pse përfundimet e ekspertëve të Policisë Shkencore nuk janë të qarta, Gjykata arrin në përfundimin se ky ekspertim nxjerr atë që kërkojnë Çaushi dhe Gjoni, se “fakti nuk ekziston.”
Gjykata gjithashtu çmon në vendimin e saj se përsa i përket akuzës së ngritur nga QKR për falsifikim dokumentesh në lidhje akt-marrëveshjet për “personin e besuar”janë bërë hetime, por përsëri nuk është arritur të provohet vepër penale për shkak të mungesës së ekspertizës teknike për të kthyer pamjet filmike të marra në mjediset e QKR-së në fotografi.
Prokuroria i ka kërkuar një eksperti të pavarur kthimin e pamjeve filmike në QKR në fotografi dhe tabela fotografike, po këto të fundit janë shprehur se është një veprim “teknikisht i pamundur.”
Gjykata hedh poshtë në vendimin e saj edhe vlerën për vilën në Farkë, kur nënvizon se kostoja e saj është 450,000 euro dhe jo 750,000 euro, siç pretendohet në kallëzim [në kallëzim e ILDKPKI shkruhet që kostoja e kësaj vile është 700,000 euro].
Përsa i përket hyrje-daljeve të shpeshta të çiftit jashtë vendit, Gjykata shprehet se shpenzimet për këto udhëtime janë mbuluar nga kompania “ADFD,” projekte ndërkombëtare pjesë e të cilave gjyqtari Gjoni ka qenë pjesë si dhe të ardhurat e tyre personale”.
Në përfundim të vendimit të saj, Gjykata shprehet që kontrollet e realizuara nga ILDKPKI në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bankat e nivelit të dytë dhe në të gjitha institucionet private dhe shtetërore nuk rezulton që për gjyqtarin, bashkëshorten e tij të ketë “pasuri të padeklaruara dhe të pajustifikuara, apo burim të paligjshëm të financimit të tyre.”
Nga tërësia e provave të mbledhura nga organi i akuzës, Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit Durrës çmon se Prokuroria duhet të kishte pushuar hetimet me arsyetimin që “fakti nuk ekziston,” duke lënë në fuqi vendim e Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan si të bazuar në “prova dhe në ligj.”
BIRN
ma.me