Disa orë parë në emër të LSI, Petrit Vasili tha se mbi Shqipërinë nuk mund të bëhen eksperimente dhe se vendi është një republikë parlamentare e jo ekspertësh.
Vasili po i referohej reformës në drejtësi, vettingut dhe pjesëmarrjes së të huajve në të, një qëndrim ky të cilit i është kundërpërgjigjur kreu i komisionit të reformës në drejtësi.
Fatmir Xhafaj tha në parlament se një problem i madh në vend ka qenë pikërisht mentaliteti se kushtetuta dhe ligjet duhen bërë nga politikanët, dhe jo nga ekspertët.
Reagimi i Xhafajt erdhi pas fjalës së ish kryeministrit Berisha, por më pas iu drejtuar qëndrimit të LSI-së
“Kur e dëgjoj zotërinë (Berishen) që flet këtu nuk ndjej asnjë emocion. Jo sepse koha e tij ka mbaruar, por edhe se mendja e tij ka mbaruar”.
Më pas Xhafaj ju drejtua qëndrimit të Vasilit:
“E dëgjova që foli për grupin e ekspertëve, kam dëgjuar edhe të tjerë që thonë që kjo është republikë parlamentare s’është republikë ekspertësh.
Është e vërtetë që është republikë parlametnare por mjerë ai parlament që e ndërton Kushtetutën, ligjin, mbi banalitetet, batutat, mbi paligjshmërinë e politikanëve.
Republika parlamentare të forta janë ato që këshillohen nga ekspertët, vlerësojnë para së gjithash ekspertët, dhe burrat e shtetit ndahen nga cfarë janë të aftë të kenë në krahë dhe nga cilët këshillohen. Sa i takon ekspertëve, jam i nderuuar që kam punuar me ta”, tha Xhafa.
Më herët Vasili tha:
“Në fund të fundit, ne bëjmë një reformë që është solide, që nuk është prodhim i thjeshtë ekspertësh, pasi ne e kemi vlerësuar dhe e kemi respektuar punën e ekspertëve, por Shqipëria është një republikë parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh dhe në Kushtetutën e vendit në emër të ekspertëve nuk mund të bëhen eksperimente”.