Kryetarja e LDG, Albana Vokshi, ka marrë pjesë në Samitin e Grave të Partive Popullore Europiane, qe u mbajt në Spanjë nën drejtimin e europarlamentares Doris Pack.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, i njohu përfaqësueset e Partive Popullore me qëndrimin e Partisë Demokratike për Reformën në Drejtësi, duke i informuar për punën që ka bërë opozita në përmirësimin e draftit dhe vendosmërinë e saj që produkti final të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Vokshi informoi koleget e PPE se qeveria ka bërë deri tani çdo përpjekje për ta kapur sistemin e drejtësisë, e jo për të pasur një reformë të qëndrueshme, që garanton një drejtësi që lufton krimin e korrupsionin.
Në takimin me Doris Pack, Presidenten e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane, Vokshi u shpreh se shqiptarët janë të dytët në listat e azilkërkuesve pas refugjatëve të luftës. (java / r.a)