Ashtu siç shkruhej në reagimin e ambasadës së SHBA, edhe delegacioni i BE-së ka shprehur keqardhje për vendimin e PD-së për të mos pranuar propozimin e bërë nga ndërkombëtarët në lidhje me reformën në drejtësi. Në deklaratën për shtyp, BE shkruan se besueshmëria e reformës varet nga vettingu, dhe për ta garantuar atë, roli i ndërkombëtarëve përmes Operacionit të Monitorimit është thelbësor.
BE shkruan në deklaratë se ndërkombëtarët nuk kanë kërkuar asnjëhere një rol ekzekutiv në procesin e vettingut, duke i dhënë kështu një kundërpërgjigje argumentit të liderit demokrat Lulzim Basha, se OMN (Operacionit Ndërkombëtar Monitorues) do të cënojë sovranitetin e Shqipërisë.
Deklarata e Delegacionit të BE-së në Shqipëri:
Na vjen keq që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis.
Besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor.
Kjo përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues. Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë.
Tani negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. Kjo do të diskutohet gjithashtu nga Zëvendës Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm Helga Schmid gjatë vizitës së saj në Shqipëri sot dhe nesër./java/a.k