Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Mal të Zi, iu drejtua mesditën e sotme me një fjalë përshëndetëse parlamentit malazez, ku i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ai fillimisht u shpreh se ndjehet i nderuar të mbajë fjalimin e parë në gjuhën shqipe, në përurim të sistemit të përkthimit të përhershëm simultan në gjuhët shqipe dhe malazeze (dhe anasjelltas), i cili do të përdoret gjatë zhvillimit të seancave parlamentare në Mal të Zi.
Ky është një hap vizionar që duhet përshëndetur, tha Meta.
Më tej në fjalën e tij kryeparlamentari tha se Shqipëria i çmon marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi ndërtuar me fqinjin tone, Malin e Zi, të cilave shpeshherë të tjerët u referohen si një model të fqinjësisë së mirë dhe të mbarëvajtjes së marrëdhënieve në rajonin tonë të Ballkanit.
Shqipëria dhe Mali i Zi, tha ai, ndjehen edhe më afër njëri-tjetrit, jo vetëm nga gjeografia që na bashkon, por edhe falë pakicës shqiptare këtu, e cila na lidh edhe më fort, si një urë solide miqësie e bashkëpunimi. (java / r.a)