Edhe gjatë kësaj jave në të gjithë vendin ka vijuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Përmes një njoftimi për shtyp nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se gjatë kësaj jave në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 55 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE, si dhe janë kryer kontrolle të përbashkëta në 3.188 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 14 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 14 autorë.
Nga këta janë arrestuar në flagrancë 3 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, janë shpallur në kërkim 7 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 4 të tjerë.
Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 1.088 lidhje të abonentëve debitorë dhe 14 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 49 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE shprehin vendosmërinë për ta çuar deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së. ATA