Nga Lorenc Vangjeli
Partia Socialiste feston sot 25 vjetorin e rithemelimit të saj. Atë që në fakt ka ndodhur në qershor 1991, por që urohet në mes të korrikut për shkak të vëmendjes së kampionatit Evropian të futbollit.
Ngjarja e çerek shekullit më parë ka qenë nga ato që kanë shenjuar gjithë këtë çerek shekulli. Përkundër cinikëve të kohës në një kohë aq cinike për historinë e vendit, rithemelimi i socialistëve nuk ishte fatmirësisht një operacion thjesht për ndryshim emri. Nuk ishte as një transferim teserash apo ndryshim emrash. Ishte shumë më shumë se kaq; ishte një krijesë që për shkak të rrethanave, për shkak të ekipit drejtues dhe një grushti të rinjsh të kohës, dhe mbi të gjitha, si një refleks i çuditshëm i përkundërt me kundërshtarin e tij, u bë ndryshe nga çfarë thoshin bastet, starti i një partie demokratike.
Sa më tepër komunistët e vërtetë bashkoheshin me PD-në, sa më shumë mendësia totalitariste pushtonte partinë e parë antikomuniste në vend, sa më shumë rrudhej liria në të djathtë, sa më shumë njerëzit me hije në të shkuarën komuniste, hajdutë ordinerë apo ish-sigurimsa që konvertoheshin në të burgosur politikë apo demokratë, aq më shumë edhe si reaksion ndaj saj, e majta bëhej më e lirë, më liberale, më evropiane.
Rrethanat kushtëzojnë ndonjëherë vetë fatin. Dhe ky ishte fati i socialistëve në fillim dhe më pas, edhe projektimi i këtij fati, të mirë e të keq, që kushtëzoi edhe fatin e gjithë shoqërisë shqiptare më pas.
Së paku deri në referendumin e rrëzuar e të personalizuar të kushtetutës së vitit 1994, Partia Socialiste dhe socialistët shiheshin ende si trashëgimtare të komunizmit, sipas klishesë vjetër se vlen imazhi dhe jo thelbi. Se llogaritet trashëgimia dhe jo e përditshmja.
Dy parti të tjera, të qendrës së djathtë si Aleanca Demokratike dhe e qendrës së majtë si Partia Socialdemokrate, i jepnin tonin opozitës dhe të dyja së bashku, ishin një ofertë jashtëzakonisht serioze për pushtetin e nesërm. Në zgjedhjet e para të vitit 1996, zgjedhje gjerësisht të manipuluara dhe të deformuara, këto dy parti hynë vetëm në zgjedhje dhe me gjasë, nëse historia do të kishte qenë normale, do të kishin krijuar polin e tretë në politikën bipolare shqiptare. Dhe po me gjasë, nuk do të kishte pasur as rrëshqitje në marrëzinë e piramidave dhe as krimin e marrë të marsit 1997 që e ktheu vendin edhe njëherë në pikën e nisjes. Dhe që armatosi popullsinë me armë dhe politikën shqiptare përfundimisht me arrogancë dhe tritol. Sot, së paku politikisht, Shqipëria ka humbur plot 20 vjet në nevojën e saj për të pasur ekuilibër mes të majtës dhe të djathtës. Si një pikë, me të cilën Arkimedi dikur, premtonte se mund të lëvizte botën dhe që sot mund të lëvizë në drejtim të mbarë shoqërinë shqiptare.
Politika, edhe kur flitet për historinë e saj, është si shahu: flitet gjithmonë me nëse. Njëlloj si në shah, edhe në politikë llogariten lëvizjet e kundërshtarit dhe parashikohen lëvizjet e kundërshtarit, si mënyra e vetme për të garantuar sukses në lëvizjet ndaj tij.
Në shah, si rregull, sakrifikohen ushtarët në fillim, më pas edhe figurat e tjera të rëndësishme, me kushtin e vetëm që të ruhet Mbreti. Sepse rënia e tij është dhe fundi i lojës. Francezët e monarkisë së dikurshme kanë pasur “parrullën” e tyre të famshme: Mbreti vdiq, rroftë Mbreti! Në qershor 1991, në rithemelimin e saj, Partia Socialiste, me siguri pa parashikuar se çfarë do të ndodhte më pas, bëri pikërisht këtë akt. Duartrokiti paradite mbretin e saj të vjetër dhe mbasdite brohoriti për mbretin e saj të ri. Dhe mbi rtë gjitha, nuk e ka bërë këtë akt vetëm një herë gjatë ekzistencës së saj. E kujtoni Fatos Nanon, Dendy-n që shpikte Trendy-n në Tiranë. Mbretërit socialistë kanë qenë gjithmonë të përkohshëm. Dhe sot, kjo është diferenca e saj kryesore me kundërshtarin e saj klasik në të djathtë që i jep një shans më shumë për qëndrimin në pushtet në një skenë politike që po bëhet gjithmonë e më e komplikuar. Që nuk mund të shpjegohet dhe të kuptohet me skemat bardh e zi të teritalit të viteve 90-të. Politika është bërë shumë më e sofistikuar sot. Ajo shpesh nuk është ashtu siç duket. Tripolare siç shfaqet sot, me një të majtë me dy krerë si shqiponjë dhe me një të djathtë populiste, gjasat janë që triumfi të vijë nga përkohësia. Nga modestia dhe demokracia brenda secilës parti. Forca, shpesh nuk është gjë tjetër përveçse forma e dukshme e brishtësisë. Dhe partitë politike duhet të jenë në thelb si sistemi i taksave në një vend: të thjeshta për t’u kuptuar, të qëndrueshme në të të premtuar dhe të parashikueshme në qeverisje. Ky mund të jetë dhe çelësi për të kuptuar 25 vjetët e Partisë Socialiste dhe rebusin e ndërlikuar të vitit të ardhshëm mes të majtës dhe të djathtës.