Brenda datës 15 korrik, të gjithë maturantët që duan të vazhdojë studimet duhet të plotësojnë bazën e të dhënave për të gjitha vitet e shkollës së mesme,kjo në bazë të pikës 8, neni 10 të Rregullores së Maturës Shtetërore 2016.
Plotësimi i të dhënave për kandidatët do të behët nga Komisionet Shkollore të Maturës Shtetërore, përmes portalit online të maturantit, duke hedhur të dhënat e nevojshme për rankimin e aplikuesve në bazë të kritereve të vendosura nga IAL-të si dhe për shpalljen e listës së fituesve nga ana e këtyre institucioneve.
Mos kryerja e këtij procesi e bën të pamundur shpalljen fitues të tyre në ndonjë program studimi të përzgjedhur nga ana e tyre në formularin e aplikimit në IAL.
Pas hedhjes në sistem të mesatareve të të gjithë maturantëve që dëshirojnë të garojnë për të fituar një të drejtë studimi nga ato që ofrohen nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) shtetërore dhe private për vitin akademik 2016-2017, sistemi online i Maturës Shtetërore hapet sipas një plani kalendar të publikuar më parë për të gjitha DAR/ZA-të e vendit.
Pas kryerjes së ketyre procedurave, Agjencia Kombëtare e Provimeve( AKP) i përcjell IAL-ve për çdo program studimi të ofruar nga ana e tyre listën e kandidatëve që kanë përzgjedhur ato programe studimi, së bashku me llogaritjet dhe rankimin e tyre nga ana e Universiteteve.
IAL-të për çdo program studimi që ofrojnë publikojnë listat e rankuara të aplikantëve me të dhënat e përcjella nga AKP-ja. Në këtë listë të publikuar me vijë të kuqe do të përcaktohet fituesi i fundit në varësi të kuotave të ofruara për atë program studimi. (java / r.a)