Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan të martën Protokollin e Bashkëpunimit për dyvjeçarin e ardhshëm mes dy vendeve.
Marrëveshja, e nënshkruar në selinë e kryeministrisë nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ambasadorja e re e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schuetz , parashikon një fond prej 41.4 milion eurosh në mbështetje të projekteve zhvillimore në Shqipëri.
Zv/kryeministri Peleshi në fjalën e tij fillimisht i uroi mirëseardhjen ambasadores, e cila, siç tha ai e ka sot ditën e dytë të punës së saj në Shqipëri.
Më pas, ai vlerësoi kontributin gjerman për vendin tonë, i cili përllogaritet në më shumë se 1 miliardë euro në 20 vitet e fundit bashkëpunim.
Me këtë rast, Peleshi vlerësoi institucione si KFW apo GIZ, që prej shum
ë kohësh kanë ngritur kapacitete dhe zbatuar projekte në kuadër të mbështetjes për Shqipërinë.
Gjithashtu, tha ai, kontributi i Gjermanisë nxit axhendën tonë reformuese për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Duke u ndalur tek bashkëpunimi në dy vitet e ardhshme, ai tha se prioritet do të kenë projektet në fushën e menaxhimit të mbetjeve, por dhe ato në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve apo fusha e arsimit profesional.
Në këtë kuadër zv/kryeministri veçoi projektin për menaxhimin e mbetjeve të rajonit të Vlorës, një investim prej 19.5 milion eurosh.
Ky është, tha Peleshi, është projekti i pare dhe i vetëm në fushën e menaxhimit të mbetjeve që po realizojmë në bashkëpunim me palën gjermane.
Një tjetër sektor i rëndësishëm që i kontribuon përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë është dhe sistemi i ujësjellës-kanalizimeve, ku Gjermania ka një ofruar një ndihmesë të veçantë. Ai tha se reforma territoriale ka rritur efiçencën në këtë fushë dhe se investimet e ardhshme do tí shtojnë përfitimet.
“Gjermania përshëndet rolin konstruktiv të Shqipërisë për një zhvillim paqësor dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sikurse u nënvizua dhe në konferencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në datën 4 korrik në Paris”, theksoi ambasadorja.
Ajo shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të vijuar mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, në realizimin e reformave të nevojshme, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsinë shqiptare, si dhe krijimin e perspektivave për të rinjtë.
Gjermania do vazhdojë të mbesë një partner besimplotë i Shqipërisë në rrugën e saj për ndërtimin e një sistemi demokratik, nënvizoi ambasadorja Schuetz./a.m.