Ka përfunduar mbledhja e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha me anëtarët dhe ekspertët e PD të Komisionit të Reformës në Drejtësi, ku do të diskutohej një propozim i ri për t’i dhënë rrugë, çështjes politike të ditës.
Mbledhja u zhvillua një ditë pas vizitës zyrtare të Nënsekretares amerikane Victoria Nuland në Tiranë për këtë reformë.
Burime nga PD-ja thanë se Basha u ka kërkuar bashkëpunëtorëve të shqyrtojnë 7 ligjet që shoqërojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe në mbledhjen e ardhshme, të paraqesin propozimet e tyre.
Zyrtarja amerikane tha dje se “ka ardhur koha që të arrihet në një marrëveshje. Është çasti që të gjithë patriotët e Shqipërisë të bashkojnë forcat dhe të japin atë që ky vend po pret. Gjithashtu, me një reformë të fortë në drejtësi, Shqipëria do të vazhdojë të ecë përpara edhe në çështje të tjera. Kryeministri dhe kryetari i opozitës shprehën dëshirën që të arrijnë marrëveshje. Politika është e ashpër në këtë vend, por gjithashtu kam ndjerë që të dy e dinë se është koha për ndryshim”, tha Nuland.
Ajo shtoi se ambasadori Donald Lu ka propozuar një variant të ri për reformën: “Ambasadori Lu u ka bërë palëve një propozim të ri për reformën. Propozimi i ri është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, – u shpreh Nuland. – Propozimi i ri është hibrid me ide nga qeveria dhe opozita.”/ma.me/