Në dalje të selisë rozë, Kryeministri Edi Rama tha se formula e propozuar nga SHBA dhe BE, “akomodon” në mënyrë të plotë kërkesën e PD-së. Rama madje është shprehur i habitur se përse PD nuk ka dalë publikisht për të pranuar atë që Nuland e cilësoi dje si një propozim “hibrid” për të zgjidhur ngërçin mes palëve. Kryeministri ka siguruar se, si njohës i ngjyrave, nuk ka asnjë “zbehje” të vizave të kuqe, dhe se thelbi i reformës në drejtësi, vettingu, apo kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të jetë ashtu siç ka përcaktuar SHBA dhe BE.
“Kjo nuk është reforma e një pale por reforma e një vendi. Përsa i takon vijave, ju siguroj që unë i njoh shumë mirë ngjyrat, por vija e kuqe është një vijë e përcaktuar nga SHBA dhe BE, që në esencën e saj ka procesin e Vettingut. Vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im, por është përcaktuar nga SHBA dhe BE dhe që ka në esencën e vetë procesin e vetingut
Për ne nuk ka qenë pjesë esenciale, sesi do të votojë parlamenti, pasi ne kemi lëshuar 2/3. Thelbi, mësojeni, është, jo se kush do të mbushë me ujë shishet, por sa i pastër dotë jetë uji me të cilin mbushim shishet, pra sesa i pastër dhe i sigurt do të jetë filtri.
Unë nuk e di se kujt i referoheni ju kur flisni për zbehje të ngjyrave. PS dhe maxhoranca do të votojë një reformë që ka mbështetjen e SHBA dhe BE, e të jeni të sigurt që ata nuk bëjnë asgjë që cënon thelbin e kësaj reforme. Formula e propozuar akomodon plotësisht një kërkesë të stërpërsëritur të PD-së, e cila nuk e kuptoj si nuk thotë po tani…. “- tha Rama.
Mbledhja me dyer të mbyllura në PS
Në mbledhjen e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka shprehur dakortësinë e tij në lidhje me formulën e ofruar nga SHBA dhe BE, që do të sillte përmbylljen e ngërçit disa mujor mes maxhorancës dhe qeverisë në lidhje me reformën në drejtësi. Propozimi “hibrid”, ashtu siç e quajti Nuland, është një paketë që i jep zgjidhje konfliktit që PD dhe maxhoranca kanë me draftin e reformës, e konkretisht me mënyrën sesi do të bëhet Vettingu, ose ajo që njihet si kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por nga ana tjetër, Kryeministri është shprehur përpara deputetëve se PD është ende e paqartë në pozicionin e saj, nëse do të pranojë apo jo propozimin.
“Deri ditën e enjte zgjidhet çështja përfundimisht. Jemi në një mendje me SHBA-të. SHBA janë pjesë e procesit me kërkesën tonë intensive. Ne jemi dakort me formulën e SHBA-së,. por Partia Demokratike ëhstë e paqartë për qëndrimin e saj” ka thënë Rama.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar indirekt edhe kryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, i cili nuk ka dashur të prononcohet në lidhje me detajet dhe përmbajtjen konkrete të propozimit “hibrid”, duke thënë se i duhet lënë kohë negociatave mes të dy palëve.
Nga ana tjetër, në mbledhjen me dyertë mbyllura në selinë rozë, Kryeministri Rama është shprehur se nuk është parrë kurrë më parë ky unitet i SHBA-së në raport me me reformën. Kryeministri i ka bërë thirrje deputetëve që të mos mungojnë në seancat plenare dhe të mbrojnë reformën në dretësi përmes komunikimit të tyre, teksa tashmë shumë pak kohë mbetet nga 21 korriku, i cili është dhe afati i fundit për të votuar dhe kaluar reformën./java/a.k