Nga Varshava, Sokol Balla
Afganistani do të marrë një miliard dollarë ndihmë dhe mbështetje ushtarake nga Nato, e cila do të vazhdojë të qëndrojë në vendin kaotik, por që sipas Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg ka bërë përparime në çeshtje të sigurisë dhe të reformave. Janë para ku amerikanët kanë kontributin zero. Kjo për Naton është e rëndësishme pasi SHBA në tetë vitet e presidentit Obama, e uli fuqinë e aksioneve të saj. Që nga tërheqja e trupave nga Iraku, dislokimi i gabuar në Afganistan, dështimi për të frenuar Rusinë në konfliktin me Gjeorgjinë e më pas edhe me Ukrainën. Obama po ikën pa bërë një luftë në tetë vjet. Por kjo nuk mund të quhet sukses pasi bota sot nuk është më e sigurt se tetë vjet më parë. Përkundrazi. Ndaj edhe terrorizmi eshte arsyeja e vërtete e vazhdimit të asistencës së aleancës në Afganistan. Siç e tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg: “Nato nuk do të lejojë kurrë që Afganistani të jetë një parajsë sigurie për terrorizmin…”
Sigurisht fokusi i këtij samiti ishte situata e komplikuar e sigurisë në gjithë globin dhe roli i shumëfishuar ushtarak i Rusisë. Situata në Krime por edhe Siria kanë vënë perëndimin dhe veçanërisht Naton në një situatë të sikletshme. Por tashmë e rëndësishme është që aleatët e Atlantikut të Veriut kanë identifikuar problemin.
Ai është Moska.
Tashmë katër batalionet në tre vendet e baltikut dhe në Poloni, ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria, si dhe rindërtimi i një batalioni rumun në një forcë ndërkombëtare të Natos në kufi me Rusinë, ngritja e nje sistemi mbrojtës raketor në Turqi, japin mesazhin e qartë tek Putin: Se Nato tashmë ka kthyer gjithe vëmendjen dhe ndoshta edhe armët drejt tij dhe se çdo lëvizje tjetër ushtarake ruse jashtë dialogut me Naton, do të konsiderohet si një kërcënim.
Ky samit u mbajt në stadiumin ku katër vjet më parë u mbajt finalja e Euro 2012. Kampionati i atëhershëm europian u organizua në dy vende, në Poloni dhe Ukrainë. Katër vjet më vonë një pjesë e mire e Ukraines lindore është tashmë e përfshirë në një konflikt direkt me Moskën. Një kujtesë sesa ka ndryshuar bota në pak vjet. Dhe Nato tani duhet të nxitojë të përshtatet me të.
Pavarësisht se Rusia i quajti komentet e Samitit të Natos për kërcënim ushtarak rus si qesharake, askush këtu në Varshavë nuk është më gati të pranojë lëvizjet arrogante të Vladimir Putin, që kanë sjellë kaos në Siri, dhe aq më pak të konsiderojnë shaka kërcënimet e tij ndaj vendeve baltike. Ndryshe nga samitet e tjera, ky i Polonise për Naton kishte më pak fjalë dhe më shumë vendimmarrje. Siç e tha Stoltenberg të gjithë duhet ta kenë të qartë se nëse preket nje vend i aleancës quhemi të prekur te gjithë. Një deklaratë që ka shumë vlerë për të gjithë vendet anëtare të Natos, përfshirë dhe ne. Bota ndoshta sot pas këtij samiti nuk është më e sigurt por Nato duket e vendosur të thotë më në fund fjalën e vet. Siguria e botës nuk duhet të jetë më vetëm në duart e amerikanëve.
Paradoksalisht Edi Rama bëri sërish “bujë” me Amerikanët. Më saktë me Obamën i cili nuk besoj se ka marrë para për shtrëngimin e “posaçëm” të dorës me Kryeministrin, gjatë fotos familjare. Por dhimbjet e kokës nga lojërat e Tiranës politike, stresi i një reforme që nuk po kalon dhe më shume po përçan sesa bashkon, përfundojnë sërish në duart e një amerikaneje:
Viktoria, negociatorja.
Një tur i ri, ndoshta një propozim i ri ndërsa 21 korriku po afron. Dhe Varshava dhe shtrëngimi i dorës me Obamën, harrohet shpejt./ Posaçërisht për Javanews