Brenda 12 orëve u zbuluan dy raste të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga policia kufitare në Kakavijë. Dy persona ranë në prangat e policisë ndërsa u sekuestruan 16 kilogramë kanabis.
Më 9 korrik në orën 20:25 nga Shërbim e Policisë Kufitare Kakavijë gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusit të linjës Tiranë -Athinë, në bagazhin e tij u konstatua një mobilje (tavolinë), brenda së cilës ishte krijuar një vend i fshehtë, ku u gjetën 6 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 6.8 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.
Për këtë rast policia vuri në pranga Florian Gjonin, 29 vjeç banues në Fier, punonjës i agjencisë, pasi sipas policisë është personi që ka nisur porosinë me autobus, të cilën pretendon se e ka marrë nga një shtetas tjetër të cilin nuk e njihte, shkruan express.
Ndërkohë pas disa orëve Policia Kufitare goditi një tjetër rast të Trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip ‘CADDY’ me targa AA 458 NV, që drejtohej nga Flamur Omeri , 64 vjeç, banues në Patos, punonjësit e Policisë Kufitare konstatuan në gomën rezervë dhe në brendësi të dy parafangove 14 pako të mbështjella me natriban me peshë 9.2 kg, lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.