Anëtarja e Komisionit të Reformës në Drejtësi, Vasilika Hysi, ka reaguar ndaj kritikave të disa deputetëve se me ndryshimet kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi do t’u hapet rruga martesave gay.
Deputetja e Partisë Socialiste ka theksuar se kritikët e reformës nuk e kanë lexuar projektin, por nuk mohon faktin se me këto ndryshime i krijohet kjo mundësi komunitetit LGBT.
“Stop gjuhës së urrejtjes dhe homofobisë! Ka shumë urrejtje dhe armiqësi mes nesh, mos shtoni më ndjenjën e armiqësisë mes njerëzve. Prej disa kohësh po ndjek debatin e hapur lidhur me Reformën në Drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese. Kush ju ka informuar se parashikimi në Kushtetutë i motiveve mbi bazën e të cilave ndalohet diskriminimi do të thotë detyrimisht lejim martese dhe birësim fëmijësh nga çifte të LGBT?
Unë e di se shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur ende për të pranuar martesën mes personave të të njëjtit seks. Shqipëria nuk është as e para dhe as e fundit në këtë stad. Ndaj edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk i imponon shtetet në këtë drejtim.
Por kjo nuk duhet të pengojë që ky komunitet të gëzojë një sërë të drejtash që sot atyre u mohohen në shoqërinë tonë dhe që ne kemi pranuar t’i respektojmë kur ratifikojmë konventat”, shkruan Hysi në faqen e saj në Facebook.
Më tej deputetja e Partisë Socialiste ka theksuar se sistemi i drejtësisë duhet të bëhet në atë mënyrë që të mos diskriminojë dhe as të lëndojë zemrat e komunitetit LGBT. “Ne duhet të kontribuojnë që të gjitha grupet shoqërore më të dobëta në shoqëri të gëzojnë të drejtat e tyre.
Reforma në Drejtësi duhet të bëhet dhe do të bëhet për të dhënë akses në drejtësi cilido që diskriminohet. Ne duhet të punojmë bashkë që cilido person për çfarëdo lloj arsyeje nuk mund të diskriminohet. Hajdeni të bëhemi bashkë për një sistem drejtësie që do të garantojë të drejtat e njeriut dhe do të rivendosë çdo të drejtë të shkelur, por jo të zhvendosim vëmendjen nga ato çështje që janë thelbësore për funksionin e një shoqërie demokratike: drejtësi që funksioni, dhe të mos lëndojmë zemrat dhe turbullojmë jetët e personave të komunitetit LGBT, të familjeve dhe të afërmve të tyre!”, shkruan Hysi.
Sipas anëtares së Komisionit të Reformës në Drejtësi: “Kushtetuta nuk është dokumenti që duhet të parashikojë vetëm të drejtat e një pjese të shtetasve, por të gjithë shtetasve të vet”.