Samiti i Varshavës doli me vendime të rëndësishme për një sërë çështjes që lidhen me stabilitetin dhe sigurinë në hapësirën euroatlantike dhe ku Shqipëria jep një kontribut. Kryeministri Edi Rama, duke folur për mediat, u shpreh se edhe në këtë Samit, roli i Shqipërisë u vlerësua maksimalisht.
“Samitet e NATO-s kanë një karakteristikë që janë mbledhje të mëdha, por shumë konkrete, me objektiva të qartë, me vendime të qarta dhe me monitorim strikt të vendimeve të marra. Në këtë kuptim, ky ishte një samit me rëndësi për shumë tema, por mbi të gjitha ishte një samit ku roli i Shqipërisë së vogël u vlerësua maksimalisht e kjo më bën shumëkrenar.” – tha Rama.
Në Samit, nënvizoi ai, riafirmuam se Shqipëria i qëndron të gjitha angazhimeve të saj në kuadër të detyrimeve të NATO-s. “Shqipëria i ka qëndruar angazhimit e do të vazhdojë t’i qëndrojë angazhimit dhe edhe kjo është një arsye që rrit konsideratën e respektin për Shqipërinë si një partner i vogël, por shumë i çmuar në këtë Aleancë.”
Rama iu përgjigj interesimit edhe lidhur me vizitën e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Victoria Nuland në Tiranë.
“Ardhja e zonjës hekur nga Washingtoni është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për shqiptarët se çfarë rëndësie të madhe i kushton Shtëpia e Bardhë, çfarë rëndësie i kushton qeveria amerikane reformës në drejtësi dhe se çfarë fitojmë dhe çfarë humbim duke e votuar, ose duke mos e votuar reformën në drejtësi, jo vetëm si ambicie për të përmbysur një sistem të kalbur e për të ngritur një sistem drejtësie që shqiptarët e meritojnë, por dhe në kuptimin se çfarë do të jetë nesër Shqipëria në sytë e SHBA-ve, nëse nuk do të jetë në gjendje të kalojë reformë në drejtësi,” – u shpreh Rama, ndërsa shtoi se “jemi në zhvillim të planit B që është ecja përpara me draftin në parlament. Ju po pyesni për C- në, por C-ja vjen pas B-së.”