Kryebashkiaku i Nishit, Zoran Persiq, është shprehur kategorikisht kundër vendosjes së monumentit të Skënderbeut në qytetin e tij, siç e ka propozuar kreu i Këshillit Nacional Shqiptar në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu. Persiq, duke folur për agjencinë serbe të lajmeve Beta, thekson se e konsideron si sulm politik propozimin e Musliut, pasi Nishi nuk ka lidhje fare me Skënderbeun.
“Unë e njoh historinë madje e njoh mirë por Skënderbeu nuk ka asnjë lidhje serioze me ne”, – ka thënë ai. Kryebashkiaku Persiq, shton më tej se “qindra banorë të Nishit kanë më shumë lidhje me Bujanocin dhe të afërm sesa Skënderbeu me këtë qytet”. “Sa për të ngritur monumente, më mirë ta bëjmë me një hero të filmave amerikanë si rosaku Donald apo dhe Brus Lee-ja”, – ka shtuar ai me ironi.
Jonuz Musliu dha propozimin e tij disa ditë më parë, duke theksuar se Skënderbeu ka një lidhje historike me Nishin, pasi kur u kthye nga Turqia, me 300 kalorës shpëtoi një qytet serb duke luftuar me turqit.
Këshilli komunal i Bujanocit vendosi së fundmi heqjen e emrit të Karagjorgjeviqit nga sheshi kryesor i qytetit dhe emërtimin e tij si Sheshi “Skënderbej”. /opinion.al/