Ajo çfarë imagjinon se do të vijë nuk i duket fort keq. Atje piktori nuk do të jetë më vetëm piktor, po si pjesë e jetës së tretë. Ku pak vend duket se do të zërë edhe e shkruara. Edi Rama nuk tregon dot më shumë se kaq, për atë që ende s’ka ardhur. Ndërsa nuk kursehet së rrëfyeri për gjithçka që ka jetuar.
Për fëmijërinë e vizatimet e para. Për Liceun, rebelizmin dhe marrëdhënien me babain që i diktoi filozofinë e jetës: Mos kërko sepse nuk e merr! Për kohët në Paris dhe rrëfenjat për jetën e tij nën ura, vjedhjen e ikonave e thithjet e babëzitura të kokainës. Për kthimin ditën e funeralit të babait, ku iu duk se vendosi dhe divorcin brutal me artin, për t’u marrë me politikën.
Për shkarravinat e zyrës së punës që u kthyen në vepra arti e që tashmë po kthehen në motive tekstili e qeramike dhe po transformohen edhe në skulptura… Por dhe për akuzat e retorikën mizerabël (siç e quan ai) të kundërshtarëve politikë që i përshkruan si xhuxhmaxhuxhë të moralit, mendjes e gjuhës.
Ndaj çdo akuze për marrëdhënien mes tij dhe Kristaq Ramës, për makthin artistik e shkëlqimin e yllit si piktor, pikërisht tani që është kryeministër, Edi Rama i ka përgjigjet gati, të drejtpërdrejta, të hidhura, siç di t’i lëshojë vetëm ai…
Le ta nisim andej nga dhe ju vetë e keni nisur, nga piktura. A e kujtoni, që kur keni filluar të vizatoni?
Unë nuk e kujtoj, më kanë thënë se kam nisur të vizatoj, si shumë fëmijë të tjerë në fakt, kur kam qenë 3 vjeç. Por ndryshe nga shumë fëmijë të tjerë, s’kam reshtur më së vizatuari. Një prej këtyre vizatimeve – “Vapori i madh”, vizatim nga djali i vogël 5-vjeçar Edi Rama, yllkë në një nga kopshtet e fëmijëve të Tiranës – qarkulloi në media e rrjete sociale, pasi u postua në FB nga dikush (Petro Mejdi). Sigurisht që e ka parë dhe ai vetë dhe e konfirmon se “Vapori i madh” është një prej atyre vizatimeve të tij të para, që as nuk e di se ku i kanë përfunduar.
A s’keni ruajtur asgjë?
Unë jo. Jam një katastrofë ambulante për sa i takon ruajtjes së sendeve, lidhja ime me botën materiale ka qenë gjithnjë shumë e dobët. Aq e vërtetë është kjo sa, nëse Linda s’do të kishte ardhur në jetën time, për të vënë me forcën e saj të qetë bindëse ca pika mbi “i”, unë zor se do të jetoja ndonjëherë në një shtëpi që të ishte imja. Kam jetuar vetëm nëpër apartamente me qira, me devizën “shtëpia ime jam unë” dhe s’kam dashur asnjëherë të lidhem me disa mure të palëvizshme. Ndërkohë që kur kam lëvizur nga një vend në tjetrin, jo pak gjëra kanë ngelur pas përgjithmonë, ca me dashje e ca krejt për mungesë vëmendjeje. Prej kësaj e kanë pësuar edhe pikturat e mia që kanë mbetur shpesh “rrugëve”. Po nejse, nga ç’kam pikturuar në vite të mëparshme, im atë ka shpëtuar disa, përfshirë edhe vizatime të fëmijërisë dhe ja, unë as nuk e di ku janë!
Thatë se babai është kujdesur për vizatimet. Shumëkush do të thoshte se ka qenë pikërisht ai që ju ka ndenjur mbi kokë për t’ju mësuar…
Në fëmijëri jo, më vonë jo e jo! Madje askush në shtëpi nuk më ka thënë ndonjëherë: “Vizato!”, kur isha i vogël! Sepse nuk është asnjëherë diçka e mirë në fakt, ta detyrosh fëmijën të pikturojë. Fëmijët bëjnë mrekulli, nuk thoshte kot Pikaso dua të ribëhem fëmijë, por mrekullitë e fëmijëve me format e me ngjyrat nuk tregojnë medoemos se të gjithë ata kanë talentin e artistit pamor. Në fakt janë shumë të paktë ata që e kanë farën krijuese të artistit brenda tyre dhe gjëja e duhur është që fëmijës të mos i mungojnë kurrë letrat e ngjyrat, por të mos i thuash kurrë: “Ulu vizato!”. Nëse kalon fëmijëria e parë dhe fëmija vazhdon të vizatojë, i panxitur nga askush, atëherë diçka ka brenda tij që duhet ndjekur me kujdes. Por gjithnjë në distancë. Prindërit e mi nuk donin që unë të shkoja në Liceun Artistik, pikërisht sepse im atë besonte se nëse e kisha vërtet brenda meje atë diçkanë ndryshe që bën diferencën, më mirë që këtë ta provonte koha, pa u futur qysh në shkollën e mesme në rrugën e edukimit të mirëfilltë artistik. Fitoi kokrra e lotit tim në një betejë jo të shkurtër, e cila, me sa duket, i bindi prindërit se po kërkoja me këmbëngulje thjesht fatin e artistit brenda meje.
Në fëmijëri jo… e nisët përgjigjen e kësaj pyetjeje. Më vonë, e theksuat fort, jo e jo…
Asnjëherë im atë nuk është marrë drejtpërdrejt me punën time. Madje e ndiqte çka bëja në Lice e më pas në Akademi me cepin e syrit. Kur isha fëmijë, ai më merrte shumë-shumë rrallë në studion e tij, ndonjë të diel që donte të lironte time më nga barra e të ndenjurit pas meje. Më vonë e vizitoja mbase dy a tri herë në vit studion e tij. Për të, rruga ime nuk duhej të ishte e ndryshme nga ajo e dikujt që nuk e kishte babain artist dhe kjo ka qenë diçka e paçmueshme që ai ka bërë për mua. Nga ana tjetër, ai ka dashur dhe ka bërë të tijën, që unë të rritesha me idenë se asgjë nuk ishte aty, gati për mua. Fëmijëria ime ka kaluar me një kufi të pashkelshëm, “Mos kërko sepse nuk e merr!”; kështu u mësova që fare i vogël të mos kërkoj as akullore, as lodra (të cilat mësova t’i pres me durim të vinin). Ky rregull u prish vetëm në moshën e leximit, sepse “të kërkosh libra nuk është gabim!”, ndërkohë që më mbeti zakoni i mirë që të mos kërkoj asnjëherë nga të tjerët gjëra materiale. Ndërsa pasi hyra në Lice e më vonë në Akademi, për të marrë këshilla për artin, im atë më sugjeronte të trokisja te shokët e vet dhe kjo qasje e tij shumë e kthjellët më la të lirë prej hijes së babait e më çoi në rrugën e dy udhërrëfyesve pa të cilët nuk do të isha bërë dot asnjëherë ai që jam, Danish Jukniut dhe Edi Hilës më pas. I pari ishte maestroja më i madh i të rinjve që ka pasur ky vend, i dyti një Golden Boy i pikturës shqiptare, që në kohëra e vende të tjera ma ha mendja do të kishte ngjitur majat e botës së artit. Po kam marrë disa mësime shumë të vyera edhe nga Thoma Thomai e Sali Shijaku; dy ustallarë të klasit të parë.
Kjo duhet të ketë qenë dhe koha kur kanë nisur të realizohen pikturat prej vërteti, apo jo?
Po, piktura prej vërteti kanë filluar për mua në atelienë e Liceut Artistik dhe në banjën e shtëpisë, e cila ishte “studioja” ime.
Në banjën e shtëpisë?!
Po, po, nuk është aspak shaka, nuk kishte vend tjetër në shtëpi, në kuzhinë apo dhoma ishte e pamundur. Kuzhina përveçse e vogël ishte gjithnjë e “populluar” nga gjyshja dhe mamaja, ndërkohë që në dhoma, as që bëhej fjalë të hapje bojërat e vajit. Sepse, përveçse mund të bëje dëme duke bërë njolla që pastroheshin vetëm me benzinë, era e vajit të lirit me terpentinë e bënte ajrin të padurueshëm për çdo “banor” tjetër, përveç meje vetë.
A kënaqej nga ajo çfarë realizonte adoleshenti Rama? A ishte pikërisht kjo koha kur do të nisnin pakënaqësitë, pangopja, rebelizmi, kriza artistike?
Në këtë pikë asgjë s’ka ndryshuar. Unë u gëzohem gjërave që bëj, po nuk kënaqem kurrë, nuk ndaloj asnjëherë, nuk rri dot pa u përpjekur ta ndryshoj për mirë atë që më ka gëzuar kur e kam bërë më parë dhe aty për aty më është dukur “Ok”! Besoj se hyj ndër prishësit më të palodhur të pikturave, kërkoja gjithnjë më shumë nga çfarë arrija në telajo, qoftë në Lice, qoftë në Akademi, po edhe më pas e njëjta gjë. Rebelizmin, siç e quani ju, e kam pasur natyrë të dytë në atë moshë, si jo shumë të tjerë atëherë dhe si të gjithë ata që sot – është kohë tjetër natyrisht – janë në atë moshë. Po mua rebelizmi nuk m’u shua asnjëherë. Fatmirësisht! Dëshirën e brendshme për të ngrënë mollët e ndaluara asokohe e kisha të pashuajtshme, çka besoj më çonte natyrshëm edhe në rrugën e shkeljes së kufijve shoqërorë, e cila shkoi deri te rebelimi kundër regjimit të asaj kohe. Lëre se ç’përralla tregojnë sot, ai rebelim nisi e mori formë pikërisht në Akademinë e Arteve.
Në një rrëfim tuajin mediatik, për kohët kur ishit 16 vjeç, keni thënë: “Kishte debate në shtëpi me babain. Nuk dua të flas për këtë temë, nuk dua të bëhet ushqim për qentë”. Ndoshta prapë s’do doni ta hidhni atë ushqim, as këtë herë, por unë po jua bëj pyetjen gjithsesi. Me çfarë kishin të bënin këto debate, apo me pikturën?
Jo, kishin të bënin me jetën, me normat e kohës, me paragjykimet apo gjykimet e asaj kohe dhe me tipin tim, që isha i prirur të kundërshtoja për çdo gjë apo të tallesha me gjërat që konsideroheshin tabu. Po gjithsesi, këtu “qenve” mund t’u them pa zbukuruar asnjë presje, se im atë zotëronte artin e të qenët një baba tolerant si rrallëkush, përballë fëmijës, adoleshentit rebel apo djalit të rritur e më pas, të bërë burrë, po se po! Nëse shpirti im nuk u ndrydh dhe unë u bëra një njeri i lirë në mendimet e në zgjedhjet e mia, kjo është në radhën më të parë merita e tij. Nëse unë nuk e pësova nga të qenët djali i një babai me emër të madh, çka dihet se ndodh rëndom me djemtë e baballarëve të shquar, këtë unë ia dedikoj vetëm atij dhe e falënderoj me një mirënjohje të patregueshme, sa herë më viziton në kujtimet e mia apo e vizitoj në banesën ku prehet.
A shkoni shpesh atje?
Kjo është vetëm puna ime, ndjesë!
Si për t’i ikur këtij momenti, paksa të sikletshëm, biseda i kthehet kohës që u prek pak më lart, tek Akademia e Arteve, të cilën Rama e cilëson si periudhë epike, nëse në historinë e artit flitet për një periudhë të tillë. Brezin e atyre viteve e quan me fat, sepse regjimit po i binin ushkurët dhe hapësira e lirisë së krijimit, edhe pse e ngushtë sa të duash, ishte goxha më e gjerë se ajo e periudhës së tmerrshme të marrosjes ideologjike në kulturën dhe artin e viteve ’75-’80. Sepse nëpër atelie kishte nisur një frymëmarrje e ndrojtur, por e ndjeshme dhe puna pasionante aty shoqërohej me bashkëbisedime pa fund për artin e ndaluar, festa të mbyllura nëpër shtëpi e studio ku kërciste muzika e ndaluar, lexime librash të ndaluar e përkthime poezish “të degjeneruara”… Dhe me një tallje të madhe me çdo tipar të fytyrës serioze të regjimit!
Duket se ju ekzalton po aq, edhe sot kur e kujtoni, ajo tallje…
Do të mbetet e shënuar në kujtesën time, si periudha kur kam qeshur e jemi gajasur në grup, më shumë se dhjetë a njëzet vjet bashkë; një periudhë që kulmoi nga fundviti ’89 deri në fundvitin ’90, me zinxhirin e përplasjeve të paharrueshme në auditorin e Akademisë me të dërguarit e Partisë, që vinin njëri pas tjetrit, çdo herë nga një shkallë më lart e hierarkisë së regjimit, e na mblidhnin gjithnjë e më të shqetësuar për përshkallëzimin e “shfaqjeve të huaja” në fakultetin e Arteve Figurative. Ardhja e ministrit të Brendshëm të kohës në shtatorin e ’90-s, ishte edhe kulmi i atij përshkallëzimi në një përplasje për disa orë rresht, ku u thanë gjëra që në fund e bënë lumëmadhin e Byrosë Politike të mbyllej afro një orë, në zyrën e Rektorit të Akademisë, për një emergjencë kardiake. “Në këtë fole reaksioni nuk ka më shpresë për ndërgjegjësim!”, mësuam më vonë se paskësh thënë hierarku i PPSH-së pas marrjes së ndihmës së shpejtë.
Pas Akademisë ju ikët në Paris. Shumë legjenda janë thurur për ato kohë… po rrëfenja juaj cila është?
Legjenda?! Cilat legjenda?! Ajo që jetoja nën ura dhe nuk prisja thonjtë, apo që trafikoja ikona të vjedhura?! Apo që bëhesha dru nga thithja e babëzitur e kokainës?!
Po këto, që s’janë pak e s’janë të këndshme për t’u dëgjuar…
Varja, kur të akuzojnë për çka nuk e ke bërë, akuzuesit ose e kanë bërë vetë atë për të cilën të akuzojnë, ose kanë dëshirë ta bëjnë vetë, përderisa u shkon mendja! Në Paris shkova si fitues i një burse të Citè Internationale des Arts, një qendër e jashtëzakonshme ateliesh për artistë pamorë e muzikantë, mu në zemër të Qytetit të Dritës. Më qëlloi një atelie e bukur me pamje nga Sena, vetëm 300 metra nga Hotel de Ville dhe po aq, apo diçka më shumë nga Notredami, ku pikturova e jetova dy vjet. Pastaj mora një apartament, që e bëra edhe studio për një vit tjetër dhe pastaj dihet historia…
…Kur ishit në Bashki, as që ju shkonte mendja se një ditë “shkarravinat” e zyrës së punës do të fillonin të merrnin ngjyra, të mblidheshin në libra, të shtriheshin në mur, të ktheheshin në motive tekstili e qeramike dhe të transformoheshin në skulptura me ngjyra… Në libra e të shtrira në mur i kemi parë, po kjo puna e tekstileve, qeramikës, e skulpturave ç’është? Në mos qofsha gabim, s’keni folur ndonjëherë për to...
Nuk jeni gabim. Letra murale është në zyrën time dhe ka interes nga galeritë për ta nxjerrë prej aty, në versione të ngjashme, por origjinale natyrisht. Të tjerat janë embrione premtuese.
…Por a e dini që edhe për këto tekstile e qeramika do të thonë siç kanë thënë për pikturat e ekspozuara tani që jeni kryeministër, kur s’po ngjyrosni thjesht ca fasada, por po ekspozoni veprat tuaja të vërteta, në ekspozita, galeri të njohura, në shumë vende të botës, se po shfrytëzoni postin për famën që s’do ta kishit fituar dot kurrë ndryshe (na hyri prapë në mes politika). A ju mërzit perceptimi – Ylli i tij si piktor po shkëlqen më në fund falë famës si kryeministër i një vendi?
Aty ku ekspozohen punët e mia nuk hyn “miku” e as bëhen favore për hatër të pushtetit të dikujt në vendin e tij. Janë galeri me emër, superprofesionale, që s’mund t’i çelin dyert e ndezin dritat për qoka. Sigurisht, fabula e një kryeministri që krijon në zyrën e tij është shumë e veçantë dhe ka rolin e vet, por është pjesë e së tërës. Sa për perceptimin, këtu doni të vërtetën?
Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën…
Mua s’më bën asnjë përshtypje, zero, se çfarë arsyesh nxjerrin të tjerët për të shpjeguar “shkëlqimin e yllit tim”, po fare, fare! Rëndësi këtu ka që, tash 18 vjet, vizatimet a pikturat e mia bëhen kur unë jam duke bërë një punë tjetër, në tavolinën e zyrës sime, pa i marrë asnjë minutë punës së ministrit, kryetarit të Bashkisë, kryetarit të opozitës apo kryeministrit; gjatë takimeve me bashkëpunëtorët apo telefonatave, dora vazhdon punën e vet nën urdhrat e syrit, ndërkohë që mendja ime është e gjitha e përqendruar në bisedë. Janë bërë vite tanimë, që ato letra zyre të kthyera në piktura kanë dalë nga zyra për t’u ekspozuar mbi mure apo futur nëpër libra. Sebep për nxjerrjen e tyre nga sirtarët u bënë, në padijeninë time të plotë, miku im Lad Myrtezai dhe asistentja ime, të cilët në fshehtësi të plotë prej meje çuan katër a pesë vizatime në një ekspozitë grupi këtu në Tiranë. Ishte një surprizë për mua, kur mora ftesën dhe pashë vizatimin tim mbi të! …Po ju tregoj një “sekret” të vogël që tregon se si nisi mbledhja e tyre. S’e kam treguar ndonjëherë, po për të filluar koleksionimin është bërë sebep Et’hem Ruka! Po, miku im Et’hem, ministri i atëhershëm i Arsimit, që e kisha ngjitur në qeveri dhe që në fund të mbledhjes së përjavshme më merrte vizatimin e ditës. Një ditë i shkova në zyrë në Ministrinë e Arsimit, nuk e mbaj mend për çfarë, dhe pasi mbaruam bisedën, më thotë me buzëqeshjen e dikujt që po të bën një surprizë: “Tani dua të të tregoj një koleksion të rrallë!”, dhe nxjerr një dosje ku kishte ormisur për merak të gjitha vizatimet e mia. Deri atëherë më ndodhte shpesh t’i bëja shuk e hidhja në kosh, kur ikja nga zyra. Ishin të gjitha me stilolaps të zi apo blu si të qëllonte, ndonjëherë edhe me stilolaps të kuq. Për herë të parë i pashë si vepra arti. Dhe kur kthehem në zyrë, i mërzitur që Et’hemi më kishte “grabitur” sy për sy gjithë ato vepra, i them asistentes: “M’i ruaj ato që shkarravis gjatë ditës!”. “Kam ruajtur disa për qejfin tim”, më thotë. “Urgjent në dosje”, – i them, – “Et’hemit s’kam ç’i bëj, po të tuat do t’i marr mbrapsht!”
Pra, ju po ekspozoni vetëm çfarë keni pikturuar e vazhdoni të pikturoni në zyrë. Po krijimet e mëparshme, ato të kohëve të Parisit, për shembull, nuk ia vlejnë për t’u ekspozuar?
Nëse do t’i mblidhja dot ndonjëherë andej nga janë, lart e poshtë, do të mund t’ju përgjigjesha, por si fillim duhen mbledhur… Siç e shihni përsëri, s’do isha bërë kurrë dot magazinier i pranueshëm.
…E quan mizerabël retorikën agresive kundër tij, ku kanë përfshirë edhe të atin, pa ditur fare çfarë flasin, ose më saktë për t’u shtuar dërdëllitjeve të tyre një element më shumë, ku bëhen lëmsh diktatura, komunizmi, frojdizmi, idiotizmi e me radhë. Ai mendon se është krejt e kotë të merresh me ata që i përshkruan si xhuxhmaxhuxhë të moralit, mendjes e gjuhës, aq më tepër që Kristaq Rama “hakmerret” vetë ndaj tyre.
i hakmerret?
Duke i shpërfillur prej lartësisë së madhështores “Nënë Shqipëri”, të cilës ata i përkulen sa herë vizitojnë Varrezat e Dëshmorëve. Fjalimet e fjalët e tyre të ulëta për Kristaq Ramën do t’i marrë era, ndërsa “Nëna Shqipëri” apo “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, për të mos i përmendur të gjitha, janë vepra historike që do të mbeten për gjeneratat e tjera bashkë me emrin e Kristaq Ramës e të kolegëve të tij. Nuk është sigurisht arti im i parapëlqyer, edhe im atë e dinte këtë, mbase edhe ai do të kishte bërë një tjetër art në kohë e kushte të tjera, por kjo s’ka pikë rëndësie në raport me historinë e artit shqiptar, lëre më pastaj me këta zuzarë.
Gjithsesi, në dijeninë time, nuk është vënë kurrë në diskutim vlera e veprës së babait tuaj, por marrëdhënia mes jush. E ndaj është folur dhe për makth tuajin artistik. A ka ekzistuar në të vërtetë ky makth?
Babai im sot është vepra e tij dhe kujtimet e familjes sonë, ç’punë kanë këta të paudhë me një të vdekur kur s’vënkëshin në diskutim veprën e tij e s’kanë pasur asnjë lidhje me të?! Ku është parë në botën e civilizuar që politikanët të fusin në debatin me kundërshtarët marrëdhëniet e tyre me baballarët, apo të ngrenë akuza për makthe artistike?! Këto i takojnë botës së të marrëve dhe këta shejtanbudallenj e jetojnë paturpësisht politikën si një kufi mes marrëzive e urrejtjes. Dhe me mua kanë kapur kulme që tregojnë se jam makthi i tyre. Ndërsa ankthi im janë armiqtë e mëdhenj me të cilët, në fund të fundit, matet suksesi në detyrën e lartë që kam; Prapambetja e madhe që kemi trashëguar në çdo plan, pengesat e rritjes së ekonomisë e të mirëqenies së njerëzve, dobësia e shërbimeve publike për qytetarët, sjelljet e ulëta të atyre zyrtarëve që shkarravisin fytyrën e shtetit, vonesat e ndryshme në fushën e betejës, ngecjet e projekteve e të tjera gjëra që kanë të bëjnë me qëllimin e madh e me objektivat e kësaj pune me kaq përgjegjësi. Arti në këtë periudhë të jetës sime është lutje, lehtësim, prehje e shpejtë e syve dhe ilaç për uljen e përkohshme të tensionit permanent me të cilin unë jam i karikuar edhe kur fle.
Po ju kënaq edhe egon…
Kam pasur fatin e madh të bëj punët që kam dashur të bëj, çfarë egoje duhet të kënaq akoma?! Tanimë sapo kam kapërcyer të pesëdhjetat, koha që më ka mbetur është patjetër shumë më pak se ajo që ka ikur, dhe për momentin mendoj vetëm se si ta kryej me sukses këtë detyrë që kam. E cila, edhe në rrethanat më fatlume, nuk do të zgjasë përtej një kufiri të përcaktuar në kokën time.
Për ç’kufi po flisni?
Për kufirin kohor të mbarimit të kësaj detyre të lartë dhe të fundit në politikën e ushtruar si punë e përditshme.
Dhe pastaj?
Dhe pastaj shpresoj të kem një jetë të tretë, pas asaj të parës si piktor e kësaj të dytës si politikan, për të bërë të tjera gjëra që kam në kokë.
Por sa nuk keni kaluar ende tek ajo jeta e tretë, çfarë imagjinoni se do të vijë për piktorin pas ekspozitave me letrat e zyrës, që do të mbarojnë edhe ato bashkë me detyrën?
Jeta është ajo që ndodh kur jemi duke bërë plane të tjera, thotë një shaka e urtë e John Lennon. Nuk e di çfarë vjen, po di çfarë imagjinoj se do të vijë dhe nuk më duket fort keq. Dhe piktori përsëri nuk do të jetë më vetëm piktor, si në jetën e parë, po vetëm pjesë e jetës së tretë! Gjithnjë nëse jeta nuk do ta zhbëjë këtë si një plan tjetër.
Ajo jeta e tretë që po shpresoni të kini, a mos do të ketë të bëjë me pasionin tjetër, të shkruarin?
Po, të shkruarit është pjesë e gjësë që dua të bëj në atë jetën e tretë.
Marrë me shkurtime nga revista “Mapo”
Zefina Hasani
ma.me