Ish- kryeministri, Sali Berisha, është përpjekur sot në Kuvend të ofrojë edhe “kulaçin dhe kërbaçin” mazhorancës dhe personalisht, Edi Ramës, lidhur me Reformën në Drejtësi. Nga njëra anë ai ka kërcënuar Ramën se “drejtësia vonon dhe nuk harron” dhe nga ana tjetër i ka kërkuar që të ulet me PD për të arritur një konsensus për Reformën mbi bazën e propozimeve më të fundit të PD-së.
“Edi Rama mund t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare, por jo asaj amerikane. Ndaj le të procedojmë me idenë jo të përjashtimit të opozitës por të bashkëpunimit. Opozita ka kontribut të jashtëzakonshëm. Është bërë gardiane e Komisionit të Venecias. Opozita nuk ka kërkuar dhe as kërkon asnjë lëshim në interes të saj por të një drejtësie të pavarur. Arësyetoni edhe propozimin e fundit të PD-së”, ka qenë kërkesa e Berishës.
Sipas tij, propozimet e PD-së garanton në shkallën më të lartë sigurinë e atij trupi që do të bëjë vetingun e punonjësve të sistemit të drejtësisë. Berisha ka nënvizuar se nuk do të mund të kandidojë asnjë që gjendet në konflikt interesi në këto organe.
“Nuk do të mund të kandidojnë ato që shkelën ligjin e Kushtetutën. Nuk mund të kandidojë kunati i Famtir Xhafës. Nuk do mund të jetë asnjë kunati i ministres. Këta përjashtohen për 8 vjet nga çdo emërim. Le të ulemi këto ditë. Të ketë kurajo Edi Rama ose të gjejë avokat për aferat që i ka mbi kokë e supe. Drejtësia vonon dhe nuk harron”, ka kërcënuar Berisha, Ramën.
Propozimet më të fundit të PD-së vlerësohen gjerësisht edhe më të papranueshme se “vendet e rezervuara”. Qëllimi i atyre propozimeve është vetëm largimi i SHBA-ssë dhe BE-së nga procesi I vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët që do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Në fakt PD-ja, Berisha dhe Basha, debatin e kanë me SHBA-në dhe BE-në, dhe jo me mazhorancën. Thënë thjeshtë Berisha dhe Basha, duan që vettingun ta bëjnë vetë ala shqiptarçe. Deri tani e kanë bërë ndaj kemi këtë sistem drejtësie të kalbur deri në palcë, deri dhe të kriminalizuar.
(javanews.al) Me. Ar