Verifikimi i ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit të para vitit 1991, nuk do të mbetet më një ëndërr në sirtar. Kuvendi ka zhbllokuar procedurat e miratimit të anëtarëve të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili do të ketë detyrë hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve si dhe të verifikimit të zyrtarëve shtetërorë. Në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit është parashikuar miratimi në seancë plenare të anëtarit të parë të Autoritetit. Në dokumentin parlamentar saktësohet se bëhet fjalë për kandidaten e propozuar prej Këshillit të Ministrave, e cila është ish-zëvendësministrja Gentiana Sula. Ajo është e para që ka siguruar certifikatën e sigurisë. Ky dokument i hap rrugë votimit të kandidaturës së saj në Parlament.
Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, ish-zëvendës ministrja e Mirëqenies Sociale ka konfirmuar se ka marrë certifikatën e sigurisë, të cilën tashmë e disponon Komisioni i Ligjeve. “Certifikata është marrë dhe ajo nuk vjen në drejtim të personit, por dërgohet nga DSIK-ja tek Komisioni Parlamentar i Ligjeve, dhe nënkomisioni i të Drejtave të Njeriut. Atë e kërkon institucioni dhe e dispononin institucioni”, tha Sula.
Kujtojmë që Genti ana Sula është propozim i qeverisë dhe ndryshe nga kandidatët e tjerë nuk ka nevojë për firmat e 28 deputetëve, por futet menjëherë në procedurë parlamentare t’u votuar. Megjithatë prej rreth një viti në Kuvend qëndrojnë 10 kandidatë të tjerë, të cilët pavarësisht se kanë paraqitur idetë e tyre në komisionin e Ligjeve, ende nuk kanë marrë konfirmimin për fazën e radhës. Janë regjistruar si kandidatë Daut Gumeni, Drita Avdyli, Durim Grabova, Selami Zalli, Gjon Fierza, Haqif Gjana, Simon Miraka, Marenglen Kasmi dhe Ermira Shtino.
Vetëm katër prej tyre do të kenë të drejtën të jenë anëtarë të këtij institucioni. Megjithatë për të kaluar në procesin e mbledhjes së firmave si dhe kalimin për votim në seancë, secili nga kandidatët do të duhet të marrë certifikatën e sigurisë. Me anë të këtij dokumenti do të vërtetohet se ata kanë garancinë për të parë dokumente sekrete. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit, do të kryejë verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë në lidhje me periudhën e diktaturës. Ky institucion është struktura që do të shqyrtojë kërkesat e individëve dhe institucioneve që duan të njihen me dosjet e ish-Sigurimit. Autoritetet shtetërore do të informohen mbi lidhjet me ish-Sigurimin të zyrtarëve aktualë, që synojnë të bëhen pjesë e administratës publike.
Menjëherë pas miratimit të ligjit mbi krijimin e Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me emërimin në administratë, apo kandidimin në këshilla bashkiak apo Parlament, u ndryshuan duke kërkuar që figura e tyre më parë të verifikohej. Autoriteti do të përbëhet nga 5 anëtarë, që do të zgjidhen nga Kuvendi, sipas propozimeve të mëposhtme: dy anëtarë të propozuar nga Parlamenti; një anëtar nga Këshilli i Ministrave; një përfaqësues i propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë dhe një përfaqësues i propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.
Ja cilat janë detyrat e komisionit
Bazuar në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të ish-Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, Autoriteti ka për qëllim mundësimin e së drejtës për çdo të interesuar për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Komisioni ka detyrë të mbledhë, administrojë, përpunojë dhe përdorë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ai do të kryejë verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë në lidhje me periudhën e diktaturës, me qëllim pengimin e zgjedhjes së tyre në institucioneve shtetërore të të gjitha niveleve. Ligji i njeh ndër të tjerë këtij autoriteti që të mos lejojë hapjen e dosjeve për mediat, duke përcaktuar qartë rastet specifike se cilët janë personat që do të kenë mundësinë e aksesit në dosje. Personave apo institucioneve që do të kërkojnë informacion ky komision duhet t’u garantojë, për çdo rast, mosprekjen e jetës private të të tretëve, që mund të jenë fëmijë, bashkëshortë apo familjarë të personave për të cilët kërkohet informacion.
Elmaz Gorica
ma.me