Partia Demokratike pretendon se më 24 qershor i ka dërguar mazhorancës formulën e re të kompromisi për reformën në drejtësi, ku heq dorë nga formula e vendeve të rezervuara. Por kreu demokrat e ka lexuar dje heshtjen e këtyre dy javëve si një provë të re se Edi Rama, sipas tij, kërkon dështimin e reformës në drejtësi.
Mësohet se prej më shumë se 17 ditësh mazhoranca ka refuzuar çdo përgjigje dhe argument mbi formulën e re të PD. Ndërkohë shumë i rëndësishëm ka qenë dhe përgjigja e kreut demokrat në lidhje me rolin e ndërkombëtarëve sa i përket monitorimit në këtë proçes, e cila deri më tani ka ndarë palët. PD për këtë pikë ndarëse, shprehet se është pro operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Por nga ana tjetër thekson se autoriteti i të huajve nuk mund të jetë mbi atë që i ka dhënë “Venecia” duke lënë të kuptueshëm faktin se të huajt nuk duhet të kenë punë me kontrollin e figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Opozita nuk ka vendosur asnjëherë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të ketë kompetenca që nuk i jep “Venecia”. Ne kemi qenë dhe jemi për kompetencat që “Venecia” i njeh komisionit apo operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe për këto kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë deri në fund. Operacioni bën atë që i ka ngarkuar “Venecia”. Se në çfarë mënyre e zgjedh ta bëjë, këtë natyrisht e zgjidhin më mirë ekspertët. Detyra jonë është të garantojmë zbatimin 100% të “Venecias” për këtë dhe çdo aspekt tjetër” – tha Basha.
Mbi tryezat e negociimit është edhe një formulim tjetër. Ai është një propozim i mazhorancës që quhet vota e vetme e transferueshme, ku deputetët rendisin kandidatët sipas preferencës. Votat plus të kandidatit të parë dhe votat e kandidatit të fundit u transferohen kandidatëve të renditur më lart derisa të arrihet pragu i nevojshëm i votave dhe të plotësohen të gjitha vendet. Por Lulzim Basha thotë se këtë formulë opozita e ka hedhur poshtë dy herë.
Formula e re i heq operacionit ndërkombëtar të monitorimit të drejtën e parashikuar në draftin aktual, ku në rast të dështimit në Parlament të emërimit të anëtarëve, ndërkombëtarët hartojnë një listë me emra dhe Presidenti hedh një short publik me emrat e përzgjedhur, të cilësuar menjëherë të emëruar.