Lulzim Basha ka ironizuar Ramën në lidhje me ato që ai i konsideron si plane të kryeministrit për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, pas rrëzimit eventual të reformës në drejtësi. Ashtu si dhe më parë, kreu i opozitës thjesht ka deklaruar se Rama nuk do t’ja arrijë këtij qëllimi, pa u zgjatur më tej në idenë e zgjedhjeve të parakohshme. Të cilat në fakt do të ishin muzikë në veshët e çdo opozite të një vendi normal.
Prej muajsh, paralelisht me bllokimin e negociatave për reformën në drejtësi, në politikën shqiptare po lundron idea e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. E kanë hedhur këtë tezë deputetët dhe politikanë socialistë, por jo përfaqësues të partive të tjera. Demokratët janë shprehur rrallë herë se janë dakord me zgjedhjet e parakohshme, por me kushtin që të shkohej në kutitë e votimit me qeveri teknike! E thonë këtë, megjithëse Berisha, kur humbi shumicën në Kuvend pas ikjes së Metës në 1 prill 2013, nuk kaloi në qeveri teknike, por “bleu” tre deputetë socialistë.
Nga ana tjetër, edhe LSI duket mjaft e trazuar nga idea e vajtjes në zgjedhje para afatit kushtetues. Ilir Meta deklaroi para disa ditësh se nuk shihte asnjë lidhje mes reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve të parakohshme. Pak e habitshme kjo, nëse merret parasysh se rënia e reformës në drejtësi shënon dështimin më të madh të institucionit që ai drejton në këtë legjislaturë. Kuptohet që LSI ka hallin se në një fushatë hipotetike zgjedhjesh të parakohshme, do të merrte mbi vete barrën e forcës politike që ka luajtur jo pastër në raport me paketën e reformës në drejtësi.
Idea e zgjedhjeve të parakohshme u artikulua për herë të parë në mars të këtij viti nga PS, si një alternativë për të zgjidhur ngërçin politik sa i përket Reformës në Drejtësi. Ishte nënkryetari i grupit Taulant Balla ai që hodhi ‘dorashkën’ për duel elektoral në rast së Reforma nuk kalon në Kuvend. Sali Berisha mbajti një qëndrim në seancë, që më pas u kthye në argument nga i gjithë grupi parlamentar i PD. Sipas ish-kryeministrit, zgjedhjet do të ishin një opsion por me kusht që ato të përgatiteshin nga një qeveri që në krye nuk ka Edi Ramën.
Është e pazakontë të shihet sesa i tremben mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme opozitarët e djathtë dhe partia e Metës. Nuk është e vështirë të kuptohet se ajo prej të cilës tremben, është në fakt roli negativ që kanë pasur dhe kanë në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë. I tremben pra një dënimi elektoral me votë, pikërisht për shkak të reformës.