Gazetari dhe moderatori Arian Çani që u përfshi në një ‘sherr’ me gazetarin Bledi Mane përgjigjet për deklaratat e lëshuara ndaj tij. Në një prononcim për Balkanweb, Çani thekson se nuk ka adresë facebook-u prej më shumë se 1 viti dhe se gjithçka që shkruhet në emrin e tij është e pavërtetë.
“Nuk jam në dijeni të kësaj polemike dhe nuk di çfarë ka ndodhur. Di vetëm që unë s’kam facebook personal prej më shumë se 1 viti dhe se gjithçka shkruhet në emrin tim është e pavërtetë. Ka shumë ‘Arian Çani’ në fb por asnjë prej tyre nuk jam unë”, deklaron Çani.
Por gazetari ka edhe një përgjigje për Bledi Manen, i cili deklaroi se babai i tij ka qenë dashnori i mamasë së Çanit. Ai thotë se ky sulm familjar ndaj tij, vjen një ditë pas botimit të një opinioni për situatën në vend, duke akuzuar pushtetin se ka vënë 2 njerëz për ta kafshuar, Mero Bazen dhe Bledi Manen.
“Sa për këtë tipin Manen, mund të them vetëm që është i lirë të shkruajë çfarë të dojë. Unë ruaj etikën time. Them vetëm se ky sulm familjar ndaj meje më bëhet vetëm 24 orë pas botimit të një opinioni nga ana ime rreth situatës politike në vend. Kjo tregon se zyra e dezinformimit të pushtetit funksionon më së miri. Mua pushteti më ka vënë dy njerëz për të më kafshuar: Mero Bazen dhe Bledi Manen. Unë nuk kam asgjë personale me këta njerëz. Ata janë në të drejtën e tyre të më gjuajnë. Unë nuk jam kategoria e tyre dhe nuk kam ndërmend të merrem me ta. Të dyve iu kam hapur studion kur kanë pasur nevojë dhe do vijoj ta bëj sa herë të kenë nevojë për mua kurdo që ta kenë… Unë s’mbaj inate me humanët”, deklaron Çani për Balkanweb.
ma.me