Plot 38 persona janë ndaluar nga policia italiane në qytete të ndryshme, me akuzën e trafikimit të njerëzve, në kuadrin e operacionit që ka marrë emrin “Glauco 3”. Në një parfumeri në Romë është zbuluar baza operative e një rrjeti, që organizonte udhëtime nga vendet e Afrikës Veriore drejt Italisë.
Janë sekuestruar 526 mijë euro dhe 25 mijë dollarë, si dhe regjistra me emra dhe numra telefoni. Sipas hetimeve, këto shuma parash janë fryt i trafikut të emigrantëve. Pas rrëfimit të një skafisti të penduar, që ka nisur të bashkëpunojë me autoritetet italiane, në hetime është hapur një kapitull i ri makabër.
Sipas tij, personat që nuk kanë mundësi të paguajnë udhëtimin drejt Italisë u dorëzohen trafikantëve egjiptianë, të cilët i vrasin për t’u marrë organet. Organe që më pas shiten për rreth 15 mijë dollarë në Egjipt.
Ndërsa për ata që kanë mundësi të paguajnë shuma të majme, në vend të udhëtimit të rrezikshëm në kanalin e Siçilisë, organizoheshin martesa të rreme në Itali dhe në vendet e Europës Veriore, me një kosto prej 10-15 mijë eurosh.