Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi vijoi të hënën me diskutimin nen për nen të projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Pas mbledhjes, ku opozita vijon të mos jetë e pranishme, anëtarja e komisionit, Vasilika Hysi e konsideroi ‘efikas’ diskutimin e sotëm për emërimet e magjistratëve të rinj dhe kriteret që do ndiqen në këtë proces. Risia e këtij projekti është, se sipas ligjit të ri, prokurorët dhe gjyqtarët nuk do të mund të transferohen pa pëlqimin e tyre.
“Sot të jesh këshilltar në Gjykatën e Lartë duhet të jesh magjistrat. Pati një diskutim të frytshëm me ekspertët vendas e të huaj lidhur me kriteret e emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Po ashtu, komisioni diskutoi dhe disa çështje të tjera që lidhen me transferimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ku me ligjin e ri ata nuk mund të transferohen pa pëlqimin e tyre. Ligji përcakton dhe skemën e delegimit dhe të transferimit, pa bërë dëm”, u shpreh Hysi.
Po ashtu me ligjin e ri, shtoi ajo, gjyqtarët do të emërtohen magjistrat.