Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, e cilëson Aeroportin e Rinasit objekt të rëndësisë së veçantë dhe për këtë siguria e tij s’mund t’i lihet në dorë vetëm kompanisë koncesionare dhe shoqërive nënkrontraktore private.
Ai kërkon nga Policia e Shtetit që të kontrollojë licencat që u janë dhënë kompanive të sigurimit, kushtet dhe kriteret e marrjes së këtyre licencave. Duke e parë Aeroportin e Rinasit si objekt të rëndësisë së veçantë, ai i kërkon Policisë së Shtetit të luajë rolin parësor në garantimin e sigurisë në vend. Për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, në këtë nivel sigurie ku ndodhet i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit nuk është e pamundur të ndodhin dhe akte terroriste, prandaj, sipas tij, i kërkon Policisë së Shtetit të marrë masat e nevojshme.
Grabitja e disa miliona eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit nxori në pah disa momente të mosfunksionimit të sigurisë në këtë aeroport. Si e shikoni marrëdhënien mes koncesionarit, policisë private dhe Policisë së Shtetit që duhet të garantojë në finale sigurinë për jetën dhe pronën e qytetarëve?
Nuk është hera e parë që në Shqipëri situata e vërtetë bëhet problem kur ndodhin ngjarje të rënda. Aeroporti i Rinasit është i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit dhe si i tillë, duhet konsideruar si një objekt i rëndësisë së veçantë. Nga ana tjetër, ai na lidh me botën, kështu që çdo ngjarje e rëndë që ndodh në të është dhe një cenim i marrëdhënieve të rregullta dhe të sigurta me vendet e tjera. Për këta faktorë, siguria në këtë aeroport nuk mund t’i lihet në dorë vetëm Shoqërisë që e administron aeroportin dhe nënkontraktorëve të saj që merren me këtë siguri. Sigurisht, Policia e Shtetit edhe sot ka mjaft përgjegjësi për licencimin e policive private, për nivelin e tyre profesional, për kontrollin e tyre, për marrjen e masave kur ato nuk e bëjnë detyrën e tyre etj. Por aeroporti duhet konsiderohet si një objekt i veçantë, ku është në lojë siguria e vendit dhe reputacioni i tij. Për këto arsye, duke marrë shkas dhe nga kjo ngjarje, mendoj se duhen riparë të gjitha marrëveshjet midis shtetit dhe koncesionarit në fushën e sigurisë. Edhe ndërrimi i koncesionarëve, që po flitet, e bën të domosdoshme këtë veprim.
Nëse në sportelet hyrëse dhe dalëse shumë herë qytetarët kthehen për shkak se në pasaportat e tyre ka mangësi të një numri apo germe, ndërsa në pistën e aeroportit, një makinë hyn pasi ka prerë kyçin e portës rrethuese, veprim ky që nuk kapet as nga kamerat e sigurisë dhe as vihet në lëvizje policia. Si duhet ndarë përgjegjësia në këtë rast?
Që qytetarët kthehen për pasaktësi në dokumentet, Policia duhet lavdëruar, pasi i ndihmon ata që të mos kthehen pas udhëtimit, në aeroportet ku do të venë. Për sa i takon rastit konkret, nga ato që dëgjova në media, duket se policia private që ka marrë përsipër sigurinë e territorit të aeroportit nuk e ka bërë detyrën e ruajtjes së territorit të aeroportit dhe, nga ana tjetër, ka kërkuar ndihmë me shumë vonesë. Për mua përgjegjësia konkrete më duket e qartë. Natyrisht Policia e Shtetit ka detyrën e përgjithshme për sigurinë e këtij vendi, dhe ajo, siç e thashë dhe më lart, duhet të nxjerrë detyrat e saj për të mos lejuar që ngjarje të tilla të përsëriten.
Një rast i tillë mund të ishte përdorur edhe për akte terroriste, duke marrë peng avionin e duke e drejtuar në destinacione europiane për të goditur. Është ky rast një kambanë e fortë që tregon se siguria kombëtare, në objektet e rëndësisë së veçantë, siç është aeroporti, është cenuar?
Kujtoj këtu se pas sulmit terrorist të Stambollit, aeroporti ishte vendosur nën masa të përforcuara sigurie. Sigurisht, çdo gjë mund të ndodhë, nëse shkalla e sigurisë së aeroportit do të mbetet në këtë nivel. Prandaj është detyrë e Policisë së Shtetit të rishikojë skemën e sigurisë së aeroportit, të vërë detyra për këdo që do të ketë përgjegjësinë e sigurisë, të bëjë kontrolle të vazhdueshme lidhur me zbatimin e këtyre detyrave, për t’i dhënë vendit garancinë që Aeroporti i Rinasit do të jetë i sigurt.
Nga duhet të fillojë pesha e përgjegjësisë për një rast të tillë që ai të mos përsëritet më në këtë formë, apo në një formë më të rëndë? Duhet të ketë largime apo dorëheqje, përveç ndjekjes penale që bën Prokuroria?
Tani dihet se çfarë ndodhi. Pesha e përgjegjësive varet nga detyrat që kanë pasur individë të ndryshëm në skemën e sigurisë së aeroportit. Prokuroria do të bëjë punën e saj edhe koncesionari duhet të marrë masat e veta. Sipas meje, skema e sigurisë në aeroport duhet riparë me kujdes dhe duhet të shtohet kontributi dhe përgjegjësia e Policisë së Shtetit në këtë skemë./Panorama/a.k