Partia Demokratike nuk ka arritur të përmbyllë në kohë procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në 35 degë të saj.
Ndonëse përmes një urdhri që mban firmën e kreut të PD-së, Lulzim Basha, kërkohej nga të gjitha strukturat e PD-së të përmbyllnin procesin e riorganizimit të tyre deri në 30 qershor, në shumë degë ende nuk janë zhvilluar zgjedhje, duke ngelur ende në fazën e ristrukturimit dhe evidentimit të problematikave.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se urdhri për riorganizimin nuk është shkelur pasi përmes një vendimi të kryesisë së PD-së është lënë afat që në të gjitha ato degë në të cilat do të ketë zgjedhje, procesi do të mund të zgjasë deri në 31 korrik.
Aktualisht ka përfunduar procesi i riorganizimit, i cili ka pasur për synim forcimin e strukturave, eliminimin e anëtarësisë fiktive dhe evidentimin e anëtarësisë pas ndryshimeve të numrit të seksioneve. Sipas vendimit të kryesisë së PD-së do të jenë 14 degë të reja që do të krijohen në të gjithë vendin, ndërkohë që në 21 degë ekzistuese për shkak të problematikave do të zhvillohen zgjedhjen për kryetar.
Aktualisht janë përmbyllur zgjedhjet në degët e Roskovecit, Poliçanit, Librazhdit, ndërkohë që kanë ngelur pezull zgjedhje edhe për qytete të mëdha si Durrësi, Vlora dhe Pogradeci. Për demokratët duket se më shumë sesa respektimi i afateve ka realizimi i një procesi të thellë riorganizimi që do të vlente për zgjedhjet e ardhshme.
ZGJEDHJET
Procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD-së në qytetin e Dibrës dhe Kavajës është pezulluar. Vendimi për të ndërprerë procesin e zgjedhjes së kryetarëve të degëve në këto dy qytete dhe duke u fokusuar vetëm në procesin e riorganizimit ka ardhur si pasojë e ngjarjeve të ndodhura dhe pritshmërive për realizimin e zgjedhjeve vendore.
Pas video- skandalit dhe shkarkimit nga qeveria të kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, dhe dorëheqjes e problemeve me drejtësinë të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, demokratët kanë vendosur të investohen vetëm në forcimin e strukturave në këto dy degë.
Drejtuesit e grupeve të punës janë investuar që të arrijnë në një kohë sa më shkurtër të realizojnë procesin e riorganizimit, duke filtruar edhe emrat e mundshëm me të cilët PD-ja pretendon të garojë në këto dy bashki.
Panorama/d.i.