Maxhoranca dhe opozita kanë shkëputur dialogun për të gjetur një zgjidhje konsensuale për Reformën në Drejtësi. Vendimi i maxhorancës për të futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa konsensusin e PD-së draftin kushtetues së bashku me 7 projektligjet që e shoqërojnë atë, duket se ka ngrirë çdo negociatë mes palëve.
Ishte nënkryetari i Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, që i kërkoi këtë të enjte kreut të Kuvendit, Ilir Meta, por edhe deputetëve të maxhorancës të mos votojnë futjen në kalendar të draftit kushtetues dhe projektligjeve që e shoqërojnë, duke kujtuar negociatat.
“Duroni, ka negociata që vazhdojnë, po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje, pavarësisht se ju vazhdimisht refuzoni çdo lloj propozimi që bazohet te Komisioni i Venecias”, tha Bylykbashi në seancë, ndërkohë që maxhoranca zgjodhi të votojë për futjen në seancën e 21 korrikut të draftit të reformës.
Pas këtij momenti, duket se komunikimi mes palëve është ndërprerë. Opozita e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë një reformë që nuk do t’i përmbahet rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Ndërkohë që për shumicën dhe Kryeministrin Rama, pranimi i kësaj kërkese të opozitës do të çonte në segmentim të sistemit të Drejtësisë në gjyqtarë të majtë dhe të djathtë.
NEGOCIATAT
Në mënyrë individuale dhe pa pasur ndonjë pritshmëri reale nga palët, ambasadori i SHBA, Donald Lu, ka nisur takimet me deputetët demokratë. Pas mesazheve të ripërsëritura se në Parlament reforma duhet votuar në mënyrë individuale dhe jo si një vendim politik, javën që lamë pas ambasadori Lu u takua me deputetin Astrit Patozi.
Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së u mjaftua vetëm me shpjegimin e dhënë për “Panorama” se tematika e takimit kishte qenë Reforma në Drejtësi, pa dhënë shpjegime të tjera. Por në axhendën e ambasadorit Lu duket se janë parashikuar edhe takime të tjera me deputetët e PD-së.
Ndërkohë që kjo situatë duket se nuk shqetëson drejtuesit e opozitës. Për nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka, njësoj si ambasadori, edhe deputetët demokratë janë të lirë të zhvillojnë takime mes tyre.
“Ambasadori amerikan dhe deputetët e PD-së janë të lirë të takojnë kë të duan. Është i lirë të mbajë qëndrimin e tij, ne kemi vetëm mirënjohje për ambasadorin, por jo vetëm, por për këdo që ka ndihmuar”, tha Paloka. Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat deklaroi dje se janë aleatët ndërkombëtarë ata që po i kërkojnë Kryeministrit Rama të heqë dorë nga kapja e Drejtësisë dhe votimit të saj me konsensus.
“Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtij akti, siç jemi të vendosur të realizojmë reformën, e për këtë arsye jo vetëm ne, por edhe kongresmenë amerikanë në Bruksel dhe në Berlin po i bëjnë thirrje Kryeministrit Rama që të merret vesh me opozitën dhe me konsensus, duke zbatuar ‘Venecian’, ta kalojmë sa më parë reformën”, theksoi Paloka./Panorama/a.k