Sipas gojëdhënave, njëbrirëshi është një kalë, i bardhë i cili mban fuqi mbinatyrore, e që ka një bri të vetëm të gjatë në formë spiraleje. Realisht, njëbrirëshi ka ekzistuar, por jo ashtu siç e përfytyrojmë ne
Njëbrirëshi është një kafshë me trupin e një kali dhe që në mes të ballit mban një bri të vetëm. Emri i tij rrjedh nga latinishtja, unicornis e që do të thotë “një bri i vetëm”.
Sipas gojëdhënave, njëbrirëshi është një kalë i bardhë, i cili mban fuqi mbinatyrore, e që ka një bri të vetëm të gjatë në formë spiraleje.
Si krijesë nga gojëdhënat konsiderohet si simbol i dijes, dhe mund të zbutej vetëm nga një virgjëreshë, simbol i pastërtisë. Sipas legjendave, nëse briri i tij hiqej, atëherë kafsha do të vdiste. Briri i tij mund të shëronte çdo lloj helmi, i cili ndodhej në trupin e njeriut, duke iu referuar shkrimeve indiane dhe atyre sumere.
Por shkencëtarët kurrë nuk kanë gjetur fosile apo eshtra që tregojnë se kjo lloj krijese mitologjike ka ekzistuar ndonjëherë.
Realisht, njëbrirëshi ka ekzistuar, por jo ashtu siç e përfytyrojmë ne.
Elasmoterio-ja (Elasmotherium sibiricum), një lloj tashmë i zhdukur i rinocerontit me një bri të madh të vendosur në pjesën e përparme të kafkës, nga ku shkencëtarët mendojnë se ka lindur miti për krijesat legjendare të njëbrirëshve jetoi shumë më gjatë sesa mendohej.
Deri tani mendohej se njëbrirëshi siberian, një gjallesë barngrënëse, që qëndronte në zonat e Azisë gjatë epokës gjeologjike të Pliocene-s dhe të Pleistocene-s, e që më pas u përhap deri në Siberi, u zhduk plotësisht para 350 mijë viteve.
Por zbulimi i një kafke shumë mirë të ruajtur të kësaj specieje në krahinën e Pavlodar-it në Kazakistan, tregon se një grup i këtyre kafshëve të fuqishme të mëdha prehistorike mbijetoi mjaftueshëm sa për të pasur kontakt edhe me njeriun.
Të mbijetuarit
Analizat me radiokarbon të kryera nga kërkuesit e universitetit shtetëror të Tomsk-ut në Rusi, tregojnë se origjina e fosilit është përpara 29 mijë viteve.
Hipoteza e përshkruar në “American Journal of Applied Science” (Gazeta amerikane e shkencave të aplikuara) është që zona meridionale e Siberisë formoi një strehim në terma biologjikë, ose një ultësirë ekologjike që i krijoi kushte jashtëzakonisht të favorshme njëbrirëshve që jetonin aty, apo migronin aty, që të mbijetonin më gjatë krahasuar me të ngjashmit e tyre.
Të ngathët e të rëndë
Kafka e gjetur sipas kërkuesve i përket një ekzemplari mashkull të vjetër. Këto specie të rritura të elasmoter-ëve, i ngjanin më shumë mamutëve të mëdhenj sesa kalit, të cilin ne e përfytyrojmë kur përmendim fjalën njëbrirësh. Ata ishin dy metra të lartë, mund të shkonin deri në 4 metra gjatësi dhe mund të peshonin gati 4 tonë./shqip/a.k