Deputetja e Partisë Demokratike, Majlin da Bregu, njëherazi kryetare e Komisionit parlamentar për Integrimin, i cilëson si rutinë, takimet e saj me ambasadorët e akredituar në vendin tonë për çështjen e miratimit të reformës në drejtësi dhe jo vetëm.
Në këtë rast, ajo nuk bën përjashtim as për një takim të mundshëm me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, i cili ka ndërmarrë takime të veçanta me deputetë të PD-së, me qëllim që t’i bindë për miratimin e reformës në drejtësi më datën 21 korrik.
E pyetur dje nga “Gazeta Shqiptare” nëse do pranojë të takohet me ambasadorin Lu, i cili apelon votimin e draftit edhe pa kushtin e PDsë, nenin 88, Bregu u përgjigj:
“Unë e kam rutinë takimin me ambasadorët, aq sa në rastin tim nuk më duket se përbën lajm”, – tha deputetja demokrate për “GSH”.
Më herët kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ka shprehur bindjen se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, përkundrazi, është një gur i rëndë për t’u lëvizur. Bregu, është shprehur e zhgënjyer nga formimi dhe motivimi i politikanëve shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre në rrugën e integrimit të vendit. Megjithatë sëbashkë me kolegun e saj Astrit Patozi, që të dy emra të fortë brenda PDsë, Bregu ka kërkuar miratimin e kësaj reforme për përshpejtimin e rrugës drejt BEsë.
Por miratimi i ‘Drejtësisë’ ka mbetur peng i nenit 88 të ‘Venecias’, si kusht i PD-së për të dhënë votat më 21 korrik. Ndaj ambasadori amerikan, Donald Lu ka nisur takimet individuale me deputetët e PDsë me qëllim që t’i bindë ata për të miratuar më 21 korrik draftin e reformës në drejtësi.
Takimin e parë ai e zhvilloi me deputetin demokrat Astrit Patozi, ndërkohë që edhe deështë qëndrimi kundrejt kushtit të shprehur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, se pa plotësimin e paragrafit 88 të Komisionit të Venecias nuk do të ketë votë të opozitës. Por, për kreun e PD-së, çdo lëvizje tjetër përveç qëndrimit zyrtar do të përkthehet në djegie mandatesh.
“Çdo tentativë për të trafikuar qoftë edhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar, do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare, si hapi i parë drejt përvëlimit të parlamentit ilegjitim, që do të jetë edhe përgjigjja e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë, me çdo mjet që siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit”, – ka paralajmëruar Basha.
Në anën tjetër, qëndrimi i SHBA-ve përmes ambasadës amerikane në Tiranë është i qartë. Ambasadori amerikan, Donald Lu u shpreh pak ditë më parë, përmes një mesazhi drejtuar të rinjve, se “Z.Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar. Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme”, – është shprehur ndër të tjera ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu./BW/a.k