“Qyteti lexon”, projekt i Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga kryetari Veliaj, ka vijuar me Njësinë nr. 8 të kryeqytetit, aty ku është përfunduar rikonstruksioni i bibliotekës tashmë të pasuruar me shumë tituj të rinj librash. Një ambient i ri që do të shërbejë jo thjesht si qendër leximi, por edhe si një hapësirë rinore për të rinjtë e zonës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, teksa falënderoi donatorët theksoi se investimi në lexim është investimi më i mirë për të ardhmen.
“Nga të gjitha investimet që kemi bërë në Bashkinë e Tiranës, kjo është më e vogla por më e dobishmja, sepse korsitë e biçikletave, rrugët, ndriçimi prishen dhe rregullohen, kurse dija e leximi është diçka e pazëvendësueshme”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai shtoi se libri, ndryshe nga teknologjia, ofron dije më të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt, i cili synon rikonstruktimin e të gjitha bibliotekave nëpër lagje, duke i shndërruar ato edhe në qendra rinore, që mund të shërbejnë për aktivitete artistike, sociale, kulturore, sportive, etj.
“Kemi filluar rigjallërimin e bibliotekave dhe fillimisht po i pasurojmë me libra, falë dashamirësisë së donatorëve si Shtëpia Botuese “Dudaj” dhe “Raiffeisen Bank”. Brenda këtij viti do të fillojmë edhe me rikonstruksionin fizik, që ambientet të jenë më të përshtatshme dhe të manovrueshme për të shërbyer edhe si qendra rinore ose komunitare, ku e gjithë Njësia 8 mund të mblidhet për nevojat që ka në komunitet, për të diskutuar planin urbanistik, projektin e sheshit “Skënderbej” e të tjera”, tha Veliaj.
E pranishme ishte edhe përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese “Dudaj”, dhuruese e shumë prej titujve të rinj të kësaj biblioteke, me qëllim nxitjen e leximit kryesisht te të rinjtë.
“Ideja është që jo vetëm të sjellim libra, por edhe të bëjmë promovimin e leximit, pra të lexohet. Të sjellim këtu shkrimtarë që të bashkëbisedojnë drejtpërsëdrejti qoftë me fëmijët, qoftë me të gjitha grupmoshat, në mënyrë që në fund të lexohet sa më shumë. Po u lexua më shumë, do të bëhemi njerëz më të mirë”, tha Arlinda Dudaj.