Sulmet nga militantë islamikë paraqesin kërcënimin më të madh të sigurisë për Gjermaninë dhe ngjarje sikurse të shtënat dhe shpërthimet me bomba në Stamboll këtë javë mund të ndodhin edhe në Gjermani, ka thënë shefi i agjencisë gjermane të inteligjencës (BfV) një gazete të shtunën.
Tre kamikazë vetëvrasës, pjesëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik, vranë 44 persona në aeroportin më të madh të Stambollit të martën, “Ataturk”, që konsiderohet një prej sulmeve më të ashpra që këtë vit goditën Turqinë.
“Nuk mund të përjashtojmë sulme të ngjashme si ato të Stambollit edhe në vendin tonë”, ka thënë Hans-Georg Maassen për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, transmeton Reuters.
Ai tha se humbjet ushtarake për Shtetin Islamik nuk i kanë demoralizuar xhihadistët, dhe sulmet në Evropë po bëhen vazhdimisht e më të rëndësishme për Shtetin Islamik për t’i frikësuar njerëzit dhe për të dërguar mesazhin ndaj ndjekësve të tyre se “ne ende jemi gjallë”, transmeton Koha.net.
Një sondazh i kryer nga “Emnid” për “Bild am Sonntag” ka zbuluar se 62 për qind e gjermanëve presin një sulm të ngjashëm me ata në Stamboll apo Bruksel edhe në Gjermani ndërsa 33 për qind janë deklaruar kundër.
Mbi 57 për qind e 502 njerëzve të anketuar kanë kërkuar shtrëngim të sigurisë para ndërtesave të aeroporteve në Gjermani, në raport me 39 për qind që nuk e duan një gjë të tillë. (b.an)