Partia Demokratike reagoi sërish sot në lidhje me grabitje e ndodhur në Aeroportin e Rinasit 3 ditë më parë. Enkelejd Alibeaj akuzoi Kryeministrin e ministrin e Mbrojtjes së po fshehin fakte mbi ngjarjen.
“Rama dhe Tahiri po mbajnë të fshehta disa fakte tronditëse në lidhje me grabitjen në pistën e Aeroportit të Rinasit. Fakte që dëshmojnë implikimin e shefave të rëndësishëm të Tahirit në këtë histori. Fakte të pakundërshtueshme tregojnë se Policia është njoftuar nga autoritetet e Aeroportit brenda 1 minuti, pra sapo ngjarja ka ndodhur, por përgjigja ka qënë se Furgoni i Policisë ndodhet në pistë për të pritur dhe shoqëruar persona të deportuar. Edhe pse një furgon i grupit të gatshëm gjendej aty i dislokuar, pas sulmeve të Stambollit, Policia ka arritur në vendngjarje vetëm pas 30 minutash. Dy akset e vetme nga mund të ikin grabitësit, ai nga Rinasi në Tiranë dhe Rinas-Fushe Krujë, nuk u bllokuan nga Policia në kohën e duhur”.
Alibeaj shtoi gjithashtu se po tentohet të zvogëlohen përmasat e grabitjes. “Qeveria, Rama-Tahiri, po tentojnë të servirin të dhëna të gënjeshtërta për shumën e grabitur, duke u përpjekur të zvogëlojnë përmasat e grabitjes me armë e me maska në pistën e avionëve, ndërsa e vërteta është se bëhet fjalë për disa milionë euro. Burime serioze pranë bankave të nivelit të dytë flasin për një shumë rreth 10 milionë euro. Të gjitha këto rrethana tregojnë dhe një herë fuqinë që ka marrë krimi me Ramën e Tahirin, dhe dëshmojnë inkriminim të pikave kyçe të policisë”.
Në fund të deklaratës, Alibeaj u shpreh se Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me intensitet të gjithë rrethanat e dyshimta e të nxjerrë përgjegjësit nga i pari tek i fundit, për grabitjen e armatosur të Aeroportit të Rinasit, duke e cilësuar atë si një prej goditjeve më të mëdha të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare në vend.