EKSKLUZIVE JAVANEWS/ Dashamir Shehi, një nga deputetët e spikatur të opozitës në Kuvend, në një prononcim për Javanews, vlerëson se nuk ka asnjë paragjykim për të takuar ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, si dhe çdo ambasadorë tjetër, për të diskutuar për Reformën në Drejtësi. Sipas tij, kultura e dialogut politik është rruga e vetme mbi të cilën ndërtohert një demokraci e vërtetë dhe jo llogoret politike. Sipas Shehit, ballafaqimi i ideve qoftë me faktorin ndërkombëtarë, apo edhe mes vetë politikanëve shqiptarë është mundësia për të gjetur zgjidhje.
“Nuk kam asnjë kompleks që të takohem me ambasadorin Lu. Nuk prirem të besoj se ai favorizon palë të caktuara. Natyrisht që do të kërkojë që të domionojë konsensusi mes palëve për pasur një Reformë Drejtësie afatgjatë dhe që të hapë një kapitull të ri në jetën politike, demokratike e sociale të vendit. Deputetët kanë një rol në këtë proces. Natyrisht të koordinuar me qëndrimet politike të partive që përfaqësojnë. Unë bëj pjesë tek ajo pjesë e politikës që kërkon dhe nxit dialogun. Në këto rrethana s’ka pse ky dialog të mos zhvillohet edhe me faktorin ndërkombëtarë, ku palët parashtrojnë idetë e tyre”, thekson Shehi për Javanews.
Deputeti i opozitës beson se deri me datën 10 korrik, kohë në të cilën pritet që në Tiranë të mbërrijnë edhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, do të mund të gjendet një zgjidhje konmsensuale, pasi sipas tij ka zgjidhje. Shehi vlerëson se si PS ashtu edhe PD kanë mundësi të bëjnë lëshime reciproke, gjë që detyrimisht do të çonte në zgjidhje dhe në arritje të konsensusit.
Ndërsa deputeti I PDK-së, Nard Ndoka, vlerëson po për Javaneës se forca politike që ai përfaqëson në Kuvend, spikat jo vetëm sa i përket nivelit të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtarë, por dhe sa i përket lëvizjeve drejt arritjes së konsensusit. Ndoka shprehet se nëse do të ketë një ftesë nga ambasadori Lu ai është i gatshëm që ta takojë.
“PDK është forcë politike indipedente. Vendimet që ajo merr janë në interes të vendit dhe të demokracisë. Natyrisht PDK-ja ka një bashkëpunim të spikatur me faktorin ndërkombëtarë, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Si forcë politike mbështesim procesin e dialogut mes palëve për gjetjen e një kompromisi. Nuk mendojnë se nuk ka mundësi për këtë. Mjafton të ketë vullnet. Edhe në takimin me ndërkombëtarët dhe posaçërisht me ambasadorin Lu, do të theksojmë nevojën e nxitjes së palëve që të arrinë një marrëveshje ku nuk ka as të humbur as të fituar. E rëndësishme është që të fitojë vendi dhe ardhmja e tij. Askush nuk mund t’i imponohet PDK-së për vendimet që ajo merr apo për takimet që ajo zhvillon me faktorët politikë të brendshëm apo ndërkombëtarë. PDK është me sytë nga SHBA dhe BE. Kjo është deviza jonë. Atavizmat e të shkuarës të “armikut të jashtëm” duhet të marrin fund”, deklaroi Ndoka për Javanews.
(javanews.al) Me. Ar