Trajneri i Italisë, Antonio Conte, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes së nesërme me Gjermaninë. Tema e ditës në kampin italian është De Rossi, i cili me shumë mundësi nuk do të luajë. Lojtari po bën gjithçka që të riaftësohet, por Conte paralajmëron se i duhen ata që janë në gjendje të japin përtej mundësive të tyre.
“E dimë shumë mirë se na duhen lojtarë në 120 përqind për të luajtur në ndeshjes si kjo kundër gjermanëve. Sido që të jetë, kam shumë besim te i gjithë grupi, jam i qetë për zgjidhjet e mundshme. Do të përballemi me një kundërshtar shumë, shumë të fortë, janë kampionë bote, më të kompletuar. Kemi shumë respekt për ta, i njohim mirë. Do të përpiqemi t’i luajmë kartat tona në mënyrën më të mirë”.
Gjermania fitoi 4-1 në miqësoren e luajtur në mars, por për trajnerin e kaltër tani është tjetër histori.
“Nëse do të ktheheshim një muaj pas, nuk do të kishte fare ndeshje, por sot jemi gati për t’i përballur. Askush nuk niset i mundur, kemi dëshirë për ta kapërcyer këtë pengesë”.
d.i.