Zëri i Amerikës ka mësuar se fondi prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu është me origjinë nga Shqipëria. Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtij fondi për fushatën elektorale të presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bënte një fotografi me presidentin Obama.
Ja pyetjet që iu drejtuan në seancën gjyqësore shtetasit Bilal Shehu me banim në Paramus, New Jersey, i cili pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.
I akuzuari iu përgjigj pozitivisht të gjitha pyetjeve:
- Gjatë, ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e New Jersey-t dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë Shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe Shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?
- Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)?
- Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh në atë datë?
- A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, një jo-shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?
- A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo-shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo-shtetas?
- A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në Aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?
- A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?
- Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në Aktivitetin e San Franciscos?
- A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
- Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në New Jersey nga llogaria e Shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
- Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në New Jersey, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?
- A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në Aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2?
- Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh?
- A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?
- Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj?
- A jeni fajtor për akuzën e ngritur në informacion?