Grabitja e një dite më parë në Rinas ka nxjerr në pah një skandal i cili ka cënuar jo pak sigurinë kombëtare e cila në perimetrin e jashtme e aeroportit “Nënë Tereza” menaxhohet nga firma koncesionare gjermane Tirana International Airport (TIA) dhe nga agjencia e sigurisë private shqiptare ICTS dhe jo nga Policia e Shtetit.
Sipas kontratës koncensionare në fakt për perimetrin e jashtëm, pistën dhe ambientin rrethues të aeroportit “Nënë Tereza” përgjegjësia është e koncensionarit TIA që ka kontraktuar më pas firma ICTS, ndërsa policia e shtetit ka përgjegjësi për Terminalin e pasagjerëve dhe pikën e kalimit kufitar.
E teksa në aeroport bëhen kontrolle intensive qoftë dhe të imtësishme në pasagjerë e bagazhe, gjithçka rezulton se është fiktive pasi siç edhe e faktojnë pamjet e fiksuara teksa grabitësit futen në pistë, TIA dhe ICTS kanë lënë një portë tërësisht jashtë kontrollit, dhe është pikërisht porta e terminalit të karburanteve vetëm 500 m në vijë ajrore larg vëndqendrimit të avionëve ku lëvizin dhe pasagjerët.
Skandali thellohet dhe më tej, nisur nga situatat dhe aktet terroriste si në aeroportin e Brukselit apo atë të pak ditëve më parë në Turqi me pasoja në jetë njerëzish. Por për këto situate kompania koncensionare në Tiranë jo që s’i ka shtuar masat e sigurisë por rezulton se për minuta të tëra në derën ku u futën grabitësit nuk ka pasur asnjë personel sigurise.
Ajo çka e bën më të rëndë këtë skandal është fakti se një ditë më parë siguria kombëtare u cënua për të kryer grabitjen por nëse personat që u futën në pistë do të ishin terroristë atëherë kjo derë e hapur dhe pa roje do të kthehej në një fatkeqësi për vendin.
Në një letërkëmbim të datës 21/4/2014 policia kufitare e Rinasit ngre shqetësimin pranë koncensionarit TIA ku kërkon vendosje dhe riparim kamera sigurie në perimetrin e aeroportit.
Një sërë kamerash nuk punojnë përfshi, pjesën e jashtme dhe të brendshme të aeroportit dhe deri tek hapsira Cargo ku një ditë më parë u krye grabitja.
Por Policia në pikat 4 dhe 5 të shkresës kërkon të shtohen kamera për të kontrolluar më mirë portën e BP, pikës së furnizimit të avionëve, pra pikërisht aty ku dje janë futur hajdutët pa asnjë shqetësim.
Por 7 ditë pas kësaj kërkese TIA, në vend që t’i garantojë Policisë riparimin e sistemit, përgjigjet se sistemi CCTV operimi dhe funksionimi i tij referuar qarkut të kontrollit me kamera sigurie bazuar në marrëveshjen koncensionare nuk bën pjesë tek kompetencat e policisë së Rinasit.
Ky shqetësim u ngrit nga drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj gjatë një konference për mediat ku deklaroi se këtë shqetësim ja kanë përcjell dhe autoritetit të aviacionit civil por ende janë pa përgjigje.
Ky skandal thellohet dhe më tej ku sipas Hodaj policia për grabitjen e një dite më parë dhe pse kamerat kanë fiksuar autorët është njoftuar me vonesë 15 minuta nga operatorët e koncesionarit që menaxhon sigurinë
Ajo që bie në sy nga pamjet e fiksuara teksa me jelekë kamuflazh ngjyrë portokalli autorët futen në pistë nëpërmjet derës së karburanteve është fakti se pranë derës nuk ka asnjë punonjës të sigurisë private. Pra, dyërt që lejojnë hyrje në pistën e aeroportit deri tek avionët mbushur me pasagjerë, janë lënë nga koncensionari dhe nga firma private e tij krejtësisht pa asnjë masë sigurie.
Por jo vetëm kaq: Policia nuk ka asnjë kompetencë as për të kontrolluar apo seleksionuar rojet që janë marrë në punë nga firma që garanton kontrollin e jashtëm mbi aeroportin. Pra, atje mund të punësohet edhe një terrorist. Skandali është në përmasa të papara dhe hedh një pikë dyshimi jo vetëm mbi firmën ICTV, por edhe mbi vazhdimësinë e kontratës me firmën koncesionare.
Shqiptarja.com/d.i.