Brishtësia e kordonit rrethues të Aeroportit të Rinasit, siguria e portave, si edhe problemet me kamerat e sigurisë në Aeroport, kanë qenë pjesë e një korrespodence që Ministria e Brendshme, dhe saktësisht Komisariati i Policisë së Rinasit kanë pasur me koncesionarin Tirana International Aiport. Në një shkresë që mban datën 21 prill 2014, Komisariati Rinas i drejtohet koncesionarit të aeroportit lidhur me problematikën në sistemin e kamerave të sigurisë.
Sipas shkresës disa kamera shumë të rëndësishme për sigurinë e aeroportit nuk punojnë ose janë të dëmtuara.
Saktësisht, Komisariati Rinas njofton koncesionarin se: “Disa kamera në zonën e check-in, kamerat që mbulojnë transportierët e bagazheve, kamerat në parkimin e autobusëve dhe ato në sheshin ‘kargo’ nuk punojnë; ndërsa kamerat në perimetrin e jashtëm nuk funksionojnë në rregull ose janë të dëmtuara”.
Komisariati Rinas i kërkoi TIA-s vendosjen e kamerave në disa pika ku ato mungonin.
Sipas policisë vendosja e këtyre kamerave do të rriste sigurinë e Aeroportit.
Në shkresë kërkohet të vendosen kamera dhe në portën BP ku grabitësit mundën të futen në aeroport, si edhe në zonën ‘kargo’ ku u krye grabitja e djeshme.
Më 28 prill 2014 Tirana International Airport i ktheu përgjigje Policisë lidhur me shkresën, ku thekson se siguria e aeroportit nuk është kompetencë e policisë. Në bazë të marrëveshjes së koncesionit, siguria ruhet nga qarku i mbyllur viziv i Tirana International Airport.
BW/d.i.