Me 71 vota pro dhe 38 vota kundër, parlamenti ka vendosur që drafti i reformës në drejtësi të diskutohet dhe të vihet për votim në seancën plenare të 21 korrikut. Programi i punës për periudhën 4- 29 korrik u miratua me shumicën e nevojshme teksa opozita kundërshtoi futjen në calendar të draftit të reformës në drejtësi.
“Nuk mund të kemi një kushtetutë që ka në bazë konfliktin” tha deputeti i PD Oerd Bylykbashi
Kreu i kuvendit Meta i kërkoi opozitës që të mos përsërisë debatin në lidhje me këtë çështje, duke i sugjeruar që të ecet përpara në mënyrë që të fitohet kohë që dhe ndryshimet kushtetuese e ato ligjore të miratohen Brenda korrikut.
“Kjo na impenjon të gjithëve që të gjejmë konsensus, për të vetmen çështje parimore që pretendon opozita”, u shpreh Meta.
KUVENDI MIRATOI RATIFIKIMIN E DY MARRËVESHJEVE ME QEVERINË GJERMANE
Në parlament me 110 vota u miratua marrëveshja për projektin “Linja unazore, 110 kilovolt në Shqipërinë Jugore”, e financuar me një grant prej 2 milionë euro nga qeveria gjermane. Projekti synon rimëkëmbjen e sektorit energjitik në jug të vendit, uljen e konsiderueshme dhe të qëndrueshme në sistemin e shpërndarjes; përmirësimin e performancës financiare të OSHEE-së, etj.
Ndërsa me 109 vota u ratifikua marrëveshja tjetër me qeverinë gjermane për bashkëpunimin financiar 2015, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike”. Marrëveshja parashikon akordimin e një financimi grant në masën 4.5 milionë euro nga banka KfË. Qëllimi i projektit është zbatimi i masave të efiçencës së energjisë dhe rehabilitimi i godinave të konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës./a.k