Ishte vera e vitit 2012. Të gjithë futbollistët shqiptarë shikonin nga televizori Kampionatin Europian. Një kompeticion i rëndësishëm që për shumë lojtarë apo tifozë cilësohej tabu për Kombëtaren kuqezi. Por, katër vite më vonë, 23 shqiptarë e përfaqësuan atë në Francë.
Pikërisht këta futbollistë katër vite më parë vështirë se e kishin imagjinuar një eksperiencë përrallore kur luanin në kategorinë inferiore të Zvicrës apo nuk kishin debutuar ende si profesionistë. Sot, në të nxehtin e verës së katër viteve më vonë, janë në listën e dëshirave të klubeve më prestigjioze të kontinentit…
Etrit Berisha
Portieri luante si titullar me Kalmarin në Suedi. Ishte një personazh i panjohur edhe për vetë tifozët shqiptarë kur në maj të vitit 2012 Xhani de Biazi e ftoi për herë të parë në Kombëtaren e Shqipërisë dhe debutoi në miqësoren me Iranin. Katër vite më pas, ishte titullar në kampionatin europian dhe gati për të hedhur një hap të rëndësishëm në karrierë (titullar me Lacion ose transferim në një klub tjetër të nivelit të lartë).
Orges Shehi
Gardiani i Skënderbeut në kampionatin shqiptar, në një ekip që dominonte lehtësisht dhe mbronte titullin kampion në verën e atij viti. Vazhdon të jetë pjesë e korçarëve.
Alban Hoxha
Në atë kohë 24 vjeç, sapo kishte mbyllur një sezon zhgënjyes me Kastriotin ku në pjesën më të madhe kishte qëndruar në stol përballë Argent Halilit. Në verën kur zhvillohej edhe kampionati europian, vendosi që të transferohej te Besa e Kavajës. Sot, është kapiteni i Partizanit.
Lorik Cana
Mbylli sezonin e tij të parë me Lacion, pas transferimit nga Gallatasaraj, duke u renditur në vendin e katërt. Arriti të shënojë edhe një gol spektakolar nga 30 metra distancë në ndeshjen kundër Atalantës. Këtë verë, sapo ka mbyllur aventurën me francezët e Nantës dhe ka dilema për vazhdimësinë e karrierës.
Ansi Agolli
Pas gjashtë muajve huazim nga Krivbasi, në janar të vitit 2012 mbrojtësi u transferua zyrtarisht te Karabaku në Azerbajxhan ku edhe luan titullar stabël që prej asaj kohe. Katër vite më vonë, ai ishte gjithashtu në formacionin e Shqipërisë në Europian.
Mërgim Mavraj
Mbrojtësi mbylli sezonin e tij të parë me Grojter Fyrthin ku u transferua për 200 mijë euro nga Bohumi. Në verën e 2012-ës, skuadra e tij siguroi ngjitjen në Bundesligë dhe futbollisti shqiptar u gradua kapiten i skuadrës. Sot, është pjesë e Këlnit, por paraqitjet në Europian ia rritën ndjeshëm vlerën.
Elseid Hysaj
Akoma nuk kishte debutuar si profesionist dhe Kombëtarja e Shqipërisë as nuk e kishte në imagjinatë se çfarë futbollisti po rritej në klubin e Empolit. Në moshën 18- vjeçare, Elseid Hysaj e ndoqi EURO 2012 nga televizori, pa e menduar se vetëm në edicionin e ardhshëm do të ishte ylli i Kombëtares së tij në Francë. Në tetor të 2012-ës, ai bëri debutimin me Empolin kur u fut si zëvendësues në minutën e 67-të. Sot, është një titullar stabël në Napolin e yjeve, ndërkohë që klube si Bajerni i Mynihut dhe Barcelona e kanë vëzhguar si dëshirë për merkaton.
Arlind Ajeti
Mbrojtësi ishte pjesë e Kombëtares së Zvicrës U-20 në atë verë dhe sapo kishte përfunduar sezonin me Bazelin. Tek ekipi i parë luajti në total vetëm tri ndeshje (1 në kampionat dhe 2 në Kupë), ndërkohë që ishte në formacion me skuadrën U-21 të Bazelit. Një vit më vonë, ai do luante edhe te Kombëtarja U-21 e Zvicrës, pa e pasur në plan se vera e 2016-ës do ta priste si “zbulimin” e Shqipërisë dhe si lojtarin që do ulte në stol Lorik Canën. Këtë verë është pa ekip sepse ka zgjidhur kontratën me italianët e Frosinones dhe është vënë në “vështirësi” nga ofertat e shumta.
Naser Aliji
Lojtari nga Kumanova ishte thjesht pjesë e akademisë së Bazelit, ende pa dhënë sinjale si do ta niste karrierën profesionale. Ai kishte qenë pjesë e përfaqësueses U-18 të helvetëve, por kontratën e parë e ka firmosur vetëm në verën e 2013-ës me klubin që e rriti, Bazelin. I vetmi lojtar që nuk luajti në EURO 2016 (përveç dy portierëve), por grumbullimi ishte gjithsesi një bonus i madh. Edicionin e fundit e kaloi në huazim te Vaduzi, por është në pronësi të Bazelit.
Frederik Veseli
Ishte pjesë e Zvicrës U-21 dhe në vitin 2012 u transferua nga akademia e Mançester Sitit tek ajo e Mançester Junajtid, në pritje për të hedhur një hap të rëndë- sishëm në karrierë. Gjithsesi, kulmi i karrierës në vazhdim do ishte pikërisht grumbullimi surprizë me Shqipërinë në Europianin e Francës. Aktualisht, luan me Luganon në Zvicër, por me shpresën për të realizuar një transferim cilësor.
Andi Lila
Futbollisti sapo mbylli sezonin e tij të parë me grekët e PAS Janinës, tek të cilët arriti të ishte në formacion stabël.
Odise Roshi
Sapo përfundoi sezonin e parë me Këlnin në Bundesligë ku luante së bashku me Lukas Podolskin. Atë verë, ai u huazua te FSV Frankfurti për të pasur më tepër hapësira. Sot, luan në Kroaci me Rijekën, por vera pas EURO 2016 mund të jetë sërish e nxehtë, për një tjetër transferim.
Ermir Lenjani
Do luante me Uinterthur në kategorinë e dytë të Zvicrës, ende pa dhënë sinjale se në të ardhmen mund të bëhej pjesë e rëndësishme e një ekipi kombëtar, aq më tepër në Europian. I vetmi prej “zviceranëve” të kombëtares kuqezi që s’ka luajtur asnjë ndeshje me përfaqësueset e moshave të helvetëve.
Amir Abrashi
Titullar stabël te Grasshopersi, klub që e bleu për 600 mijë euro kartonin e tij. Por, atë verë, mesfushori shtatshkurtër ishte duke luajtur në Lojërat Olimpike me përfaqësuesen e Zvicrës. Kishte bërë edhe deklarata që nuk e vinte në diskutim se do luante me përfaqësuesen e Zvicrës. Por, katër vite më vonë, sërish në verë, ai luan në një tjetër kompeticion të rëndësishëm, këtë herë me Shqipërinë. Aktivizohet me Fraiburgun, i cili sapo u ngjit në Bundesligë.
Migjen Basha
Ende nuk kishte debutuar me kombëtaren kuqezi, ndërkohë që aktivizohej me Torinon, e cila sapo siguroi ngjitjen në Serinë A atë verë. Sezonin e fundit e përfundoi në huazim te Komo.
Burim Kukeli
Mesfushori vendosi të nisë një aventurë të re brenda Zvicrës në 2012-ën kur u transferua nga Luzerni te Zyrihu, te klubi ku vazhdon të luajë në formacion.
Ergys Kaçe
Një talent i konfirmuar në atë periudhë. Edhe pse ishte vetëm 19 vjeç, kishte dy vite që kishte debutuar me ekipin e parë të PAOK-ut në Superligën e Greqisë. Vazhdon të jetë pjesë shumë e rëndësishme.
Ledian Memushaj
Një verë e bukur dhe e hidhur për mesfushorin vlonjat. Ai u transferua te skuadra e Serisë B, Leçe, në të nxehtin e 2012-ës. Por, vetëm një muaj pas firmës, ekipi i tij u rrëzua në kategorinë e katërt, për shkak të skandalit të trukimeve. Sot, është kapiten i Peskarës, e cila u ngjit në Serinë A, por është në listën e dëshirave të klubeve të tjera mjaft prestigjioze, pas shkëlqimit në Europian.
Shkëlzen Gashi
Aktivizohej në kategorinë e dytë të Zvicrës me Araun. Atë edicion ndihmoi ekipin që të siguronte ngjitjen, kur në 26 ndeshje shënoi 17 gola. Sot, është një nga “pasanikët” e Kombëtares kuqezi, pasi firmosi një kontratë milionere në SHBA me Kolorado Rapids.
Taulant Xhaka
Titullar në kombëtaret e moshave të Zvicrës, Bazeli vendosi që atë verë ta huazojë te Grasshopersi për të fituar më tepër eksperiencë. Taulanti nuk e kishte menduar që katër vite më vonë do luante përballë të vëllait, Granitit, duke përfaqësuar dy shtete të ndryshme në Europian.
Armando Sadiku
Kur zhvillohej EURO 2012, sulmuesi do të transferohej nga Lokarno te Lugano, një tjetër klub i kategorisë së dytë të Zvicrës. Hapat e parë të një karriere që do të kurorëzohej me golin historik të Shqipërisë në EURO 2016.
Sokol Cikalleshi
Sulmuesi kavajas do të provonte atë verë aventurën e parë jashtë Shqipërisë duke u transferuar në Korenë e Jugut me Inçeon Junajtid. Një eksperiencë që zgjati shumë pak, pasi do rikthehej pak muaj më vonë në kategorinë superiore. Sot, është pjesë e turqve të Istanbul Bashaksehir, me një kontratë të majme financiare.
Bekim Balaj
Sapo kishte përfunduar sezonin me Tiranën në Shqipëri dhe hodhi një hap të rëndësishëm në karrierë duke u transferuar në Çeki të gjigantët e Spartës së Pragës. Këtë verë, para se të luante në Europian, u transferua te Terek Grozni./PanoramaSport/a.m.