Fathi Bayouth ishte një oficer dhe doktor i respektuar në ushtrinë tuniziane, por të martën mbrëma në aeroportin e Stambollit ai ishte një baba i brengosur për të birin. Doktor Bayouth, 58-vjeçar, arriti në Stamboll javë më parë për të gjetur djalin e tij, Anouarin, 26-vjeçar, i cili i ishte bashkuar Shtetit Islamik në Siri, transmeton Koha.net. Kur u informua nga ambasada tuniziane në Turqi se autoritetet turke kishin kapur Anouarin në një qytet afër kufirit me Sirinë, ai i telefonoi gruas së tij në Tunizi. Ata u morën vesh që të takoheshin në aeroportin “Ataturk” para se të niseshin për në qytetin ku po mbahej Anouarin.
Dy doktorët po shpresonin që ta kthenin djalin e tyre në shtëpi. Por pak para orës 10 të së martës mbrëma, derisa ai priste në aeroport gruan e tij, tre sulmues hodhën veten në ajër, duke lënë të vdekur 41 persona, në mesin e tyre edhe doktor Bayouthin. Vdekja e tij ishte konfirmuar të mërkurën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Tunizisë. Gruaja e tij nuk ishte lënduar nga sulmet terroriste.
Bayouth “ishte njeri bujar, i gjallë dhe shumë aktiv”, thotë Leyla Njim, 32-vjeçare, mike e ngushtë e familjes. Gjatë shërbimit të tij në ushtri, ai arriti gradën kolonel-major dhe pastaj mori udhëheqjen e departamentit të pediatrisë në spitalin ushtarak në Tunis, kryeqytet i Tunizisë. Djali i tij kishte lënë shtëpinë në fillim të vitit dhe i kishte thënë prindërve se po shkonte në Zvicër, derisa ata nuk e kishin idenë se ai po i bashkohej ISIS-it. Kur mësuan të vërtetën, babai dhe nëna u tmerruan.
Sipas një anëtari të familjes, siç shkruan New York Times, transmeton Koha.net, Anouari kurrë nuk shkoi në Zvicër, por udhëtoi për në Francë e pastaj në Turqi. Nga atje ai arriti në Irak, ku iu bashkua grupit të Shtetit Islamik, pastaj shkoi në Siri. Udhëtimi zgjati tre muaj, por kur arriti në Siri, gjërat nuk ishin ashtu siç priti ai. Djali telefonoi babanë një muaj më vonë, duke i thënë se dëshironte të kthehej në shtëpi dhe për këtë kërkoi ndihmën e babait. Anouari u vetëdorëzua te autoritetet turke në kufi me Sirinë.
Anouari, djali i doktor Bayoudhit, kishte probleme gjatë karrierës së tij. Ai studioi mjekësinë në Mauritania, pastaj studioi për pilot në një shkollë në Tunis. Ai ishte duke studiuar për biznes në kohën kur shkoi në Siri. Babai i tij ishte i tmerruar me radikalizimin e djalit, por shpresonte që ai të bashkohej me familjen. “Ai e donte djalin e tij. Do të bënte gjithçka për të. Ai shkoi atje për ta kthyer në shtëpi”, ka thënë një mik i familjes.
ma.me