Boris Johnson, ish-kryebashkiak i Londrës dhe një nga emrat më të përfolur për t’u bërë kryeministër i Anglisë, është tërhequr nga gara për drejtimin e Partisë Konservatore.
Johnson mendohej se do ishte një kandidaturë e fortë për të zënë vendin e David Cameron, që deklaroi dorëheqjen pasi humbi referendumin për qëndrimin e Britanisë në BE.
Por edhe pse Johnson udhëhoqi fushatën për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, ai deklaroi se nuk do jetë në garë për të drejtuar Konservatorët.
Vendimi është një tjetër goditje për ish-kryebashkiakun e Londrës.
Disa media shkruajnë se aleanca Brexit, që synonte largimin e Britanisë nga BE, po shpërbëhet.
Kjo për shkak se Michael Gove, që udhëhoqi fushatën e largimit së bashku me Johnson, deklaroi se do të garojë vetë për kreun e Partisë Konservatore.
Ky zhvillim i befasishëm u shoqërua nga një deklaratë e tij se ‘Johnson nuk mund të ofrojë lidershipin e nevojshëm për Konservatorët’.
Ministrja e Brendshme, Theresa May ka konfirmuar se do jetë në garë për detyrën e rëndësishme.
Sondazhet thonë se ajo mund të fitojë këtë post.
May ishte mbështetëse e qëndrimit në BE, por në mënyë jo shumë aktive.