Ministri i Serbisë për Punë, punësim, çështje lufte e sociale, Aleksandar Vulin, ka deklaruar në veri të Kosovës se “dikush te populli shqiptar, në mungesë të historisë së vet, dëshiron ta rrëmbejë historinë serbe”, transmeton Koha.net.
Vulin, duke reaguar ndaj iniciativës së liderit të AAK-së Ramush Haradinaj që në Gazimestan të ngrihet përmendorja për shqiptarët e rënë në Betejën e Kosovës, ka thënë se ata që nuk kanë histori, sipas rregullave, përpiqen ta rrëmbejnë të huajën.
“Është e qartë se në mungesë të historisë së vet, disa te populli shqiptar duan ta rrëmbejnë historinë serbe. Tani, ndoshta, e kemi të qartë se sa ka qenë e rëndësishme lufta jonë që Kosova të mos bëhet pjesë e UNESCO.
Paramendoni sikur të kishte qenë anëtare, atëherë e gjithë historia serbe, përnjëherë, do të ishte bërë e njëfarë Kosove dhe atëherë edhe manastiret do të bëheshin të njëfarë Kosove”, citon gazeta “Politika” e Beogradit të ketë thënë Vulin, transmeton Koha.net.
Ai ka theksuar se është me rëndësi që gjithë botës t’i tregohet se historia serbe në Kosovë nuk do të bëhet shqiptare dhe as e ndokujt tjetër, pasi që ajo është serbe.
“Do të bëhen përpjekje që historia serbe të rishkruhet, të shtypet dhe të nënshkruhet me emër tjetër. Kush s’e ka historinë e vet, dëshiron ta marrë të huajën, e ata që e kanë historinë e vet, e serbët e kanë, nuk guxojnë kurrë të lejojnë që t’iu rrëmbehet“, ka thënë Vulin.
Zyrtari serb theksuar se serbët, “pa histori, pa emra, pa manastire dhe pa Kosovën tonë, nuk do të ishin ata që janë” dhe shumëkush është i gatshëm ta marrin atë që s’u takon dhe të përpiqen të krijojnë atë që paraardhësit e tyre nuk ia kanë dalë ta krijojnë. (b.an)