Të gjithëve na pëlqejnë filmat me mafian si “Kumbari” apo edhe “Il Capo dei Capi” dhe mënyrën se si ata operojnë. Por një shtetas shqiptar në amerikë kishte zgjedhur që jetën e tij ta kthente në filma me mafiozë. Bëhet fjalë për shqiptarin Ylli Gjeli, pronar i një bari në Filadelfia dhe i njohur si kryetar i një bande fajdexhinjsh, të përbërë nga shqiptarë.
Ai është arrestuar nga policia pasi akuzohet se dhunonte dhe torturonte personat që i kishin marrë para borxh. Hetimet amerikane bëjnë të ditur se 49 vjeçari përdorte tortura si shkulje thonjsh, shtypje gishtash me çekish dhe shkulje flokësh ër të marrë mbrapsht nga klientët paratë që ua jepte borxh.
Në sallën e gjykatës Gjeli ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Ai tha në gjyq se ishte viktimë e një konspiracioni ndaj tij.
“Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Unë jam viktima. Por ju mund të bëni ç’të doni me mua”, u shpreh ai.
Megjithatë, gjykata e ka shpallur fajtor Gjelin, si kryetar i bandës. Dënimi i Gjelit është i pari që vjen në radhët e bandës së tij. Gjeli, së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit të tij, jepnin para borxh me interesa të larta, kryesisht për kumarxhinjtë. Hetimet tregojnë se banda e Gjelit ka mundur të përfitojë rreth 1.18 milionë dollarë vetëm nga interesat e fajdeve që jepte. Gjithashtu, ky grup ishte i lidhur edhe me bastet dhe trukime në sporte të ndryshme.