Ish-mësuesja e yllit të futbollit, Lionel Messi, Yohana Fucks i ka drejtuar një letër publike emocionuese ish-nxënësit të saj. Letra e Fucks, e cila u publikua nga portali i njohur goal.com ka prekur mbarë Argjentinën me përgjërimin për talentin e Barcelonës, Messin, që ta shqyrtojë përsëri vendimin për të mos luajtur më për kombëtaren e tij të futbollit.
Fill pas eliminimit të Argjentinës nga Kupa e Amerikës, Messi deklaroi se nuk do të luante më për Kombëtaren e tij të Futbollit. Për më tepër lexoni letrën e plotë.
LETRA E PLOTË:
Lionel Messi,
Ju mbase kurrë nuk do ta lexoni këtë letër. Por nuk prish punë. Do ta shkruaj sido që të bëhet. Po e shkruaj jo si adhuruese futbolli, por si mësuese argjentinase, e këtij profesioni e kam zgjedhur me zemër dhe që e dua, siç e doni ju futbollin.
Do të mund të shkruaja pa problem për talentin tënd të mrekullueshëm në sportin më të popullarizuar në vendin tonë, për kënaqësinë që më fal mua duke qenë pjesë e gjeneratës që është me fat që mund t’ju shoh duke shpalosur magjinë me këmbët tuaja ose për adhurimin që gëzoni në të gjitha cepat e botës. Por kjo do të ishte vetëm përsëritje e klisheve. Në vend të kësaj po ju kërkoj të më ndihmoni në një sfidë larg më të madhe se ato me të cilat ndonjëherë jeni përballur. Dua që të më ndihmosh që të brumos karakterin e atyre fëmijëve që të shohin si hero futbolli dhe si shembull për t’u ndjekur.
Nuk ka rëndësi se me sa përkushtim dhe dashuri i përvishem punës, sepse asnjëherë nuk do ta gëzojë prej nxënësve të mi mahnitjen e pabesueshme që u fal ti. E tash, do ta kuptojnë se është dorëzuar idhulli i tyre më i madh. Të përgjërohem që të mos ua falësh kënaqësinë atyre mediokërve; atyre që të frustruar prej dështimit të mijëra ëndrrave të tyre, nxjerrin dufin kundër një lojtari futbolli, atyre që flasin për të tjerët pse gjithkush mund të thotë e bëjë çfarë t’i teket. Andaj, po të them se këto fjalë burojnë prej zemrës së një mësueseje, pavarësisht largësisë ndërmjet nesh dhe vesit të krisur argjentinas se puna e tjetrit është e lehtë, se shënimi i golave është si punë e lehtë ai ndërtimi i një shtëpie për një trashëgimtar.
Është kjo farë e sëmurë për ta rrëzuar tjetrin përtokë, ose që të gjykohet me gjykime idiotike e me arrogancë puna e tjetrit, duke çmuar vetëm triumfet dhe duke mos pranuar kurrfarë gabimesh, ato gabime që tregojnë se jemi qenie njerëzore dhe se mund të mësojmë prej tyre. Të lutem mos u dorëzo, mos lejo që nxënësit e mi të mendojnë se ky vend kujdeset vetëm për triumfin dhe lavdinë e të parit. Mos lejo që nxënësit e mi të mendojnë se pavarësisht sa i suksesshëm të jesh në jetë, kurrë nuk do t’ia dilni t’i kënaqni të gjithë, dhe për më zi, të mos mendojnë nxënësit e mi se duhet të jetojmë për qejf të tjerëve, e jo për vete. Mos ua përço nxënësve të mi këtë mesazh të gabuar, pavarësisht prej armiqësive të shumta para vetes, duke luftuar me mish e me shpirt prej fëmijërisë që të bëheni triumfuesi që jeni sot, e duke e ditur se të gjithë ata zemërprishur që s’lanë gjë pa thënë kundër jush, do të vdisnin që të mbërrinin majat tua. Nëse dikush si puna jote, që kishe familjen në krah, që ka pasurinë personale dhe mbështetjen e kaq shumë njerëzve, nuk mund t’ia dalë në krye, si mund nxënësit e mi të besojnë se janë të zotë t’ia dalin përballë aq shumë betejave ditë pas dite?
Me nxënësit e mi nuk flas për Messin e mrekullive në futboll, as për ato mijëra gjuajtje të lira që i ushtron për ta çuar topin në kënd; aty ku s’e kapë dot asnjë portier. U flas nxënësve të mi për Messin që ka marrë injeksione të panumërta për të luftuar për ëndrrën e tij; për Messin që me paratë e fituara prej tij, u ndihmon fëmijëve që kanë probleme si të tijat dikur; u flas nxënësve të mi për Messin e rritur, burrin që ka krijuar familje dhe merret me punën më të rëndësishme në jetë; të qenit prind i mirë; u flas nxënësve të mi për Messin, që e ndal një adhurues që i turret, që të mos lëndohet; u flas nxënësve të mi për Messin, që edhe mund ta huq penaltinë, sepse huqet na bëjnë qenie njerëzore dhe se edhe më i mrekullueshmi i kohës tonë nuk është krejt i përsosur.
Mos u dorëzo, mos e zhvesh fanellën me ngjyrat e atdheut tonë, sepse kur e vesh atë fanellë, je argjentinas që na përfaqëson të gjithëve. Nuk është se ne presim medalje dhe kupa që të jemi krenarë me ty. Të përgjërohem, mos lejo që nxënësit e mi të mendojnë se të dalësh i dyti në garë është humbje, dhe se vlera e një personi lidhet me atë se sa shumë trofe ka në kabinetin e tij, ose humbja e një ndeshjeje është edhe humbje e lavdisë.
Nxënësit e mi, Messi, duhet ta kuptojnë se heronjtë fisnikë, qofshin mjekë, ushtarë, mësues apo futbollistë, janë ata që japin më të mirën nga vetja për të mirën e të tjerëve, edhe duke e ditur se askush nuk do t’i çmojë për më tepër, edhe duke e ditur se nëse shënojnë suksese, suksesi do të jetë i të gjithëve, mirëpo dështimi është ai që u faturohet vetëm atyre. Megjithatë, ata kurrë nuk dorëzohen. Por mbi të gjithë, kanë guxim dhe heroizëm kur luftojnë dhe i kapërcejnë dështimet me trimëri dhe dinjitet, megjithëse e gjithë bota mbarë themi se kurrë nuk do t’ia dalim në krye. Dhe një ditë ata do t’i gëzohen triumfit më të madh: do të ndihen të lumtur me suksesin e tyre, me demonët me të cilët u detyruan të përballeshin, që asgjë më të mos i ndalë. Të gjithë po flasin për punën e ‘topave’, por unë besoj në fuqinë e zemrës tënde./BW/.a.k