Nuk ka asnjë dyshim që Tirana nën drejtimin e Erion Veliajt, jo vetëm që është kthyer në një kantier të madh punimesh, por ka nisur të marrë edhe një pamje tjetër. Kjo është e prekshme si për qytetarët e Tiranës që e jetojnë çdo ditë këtë realitet, por edhe për ata që e shohin atë nga jashtë. Kështu, fakti se Tirana është kthyer në punë është tashmë i njohur edhe për zona nga më të largëta të Shqipërisë, siç është edhe ajo fshatit Morinë në Bashkinë e Kukësit. Një grup mësuesish dhe nxënësish të shkollës së këtij fshati, të joshur nga puna që bëhet në Tiranë, kanë marrë guximin dhe i kanë dërguar një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku pasi i bëjnë me dije situatën e rëndë të shkollës ku punojnë dhe mësojnë, i kërkojnë atij mbështetje. Madje ata shkojnë deri aty sa bëjnë dhe një kërkesë të pazakontë për ta marrë këtë shkollë në juridiksion të Bashkisë së Tiranës dhe për të bërë të mundur transformimin e saj dhe kthimin në një institucion të denjë arsimor.
Më poshtë letra e plotë:
Drejtuar: Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj
Jemi një kolektiv i vogël mësues-nxënës në fshatin Morinë të Bashkisë Kukës, pikërisht aty ku bëhet prezantimi i parë i vendit tonë me Kosovën dhe me rajonin. Po bëjmë përpjekje të mira për rritjen e cilësisë së punës mësimore dhe edukative dhe nxënësit. Kemi parë e dëgjuar për ndryshimet e thella e impresionuese që keni bërë e po bëni për ditë në Bashkinë tuaj, të cilat janë tepër inkurajuese gjatë këtij viti të qeverisjes suaj. Ndaj ju përshëndesim dhe ju urojmë suksese të tjera.
Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Kemi një objekt shkollor shkollor të amortizuar skajshëm, me tavolina, stola e karrike të vjetruara, për të cilat na vjen turp të përdoren nga nxënësit dhe mësuesit. Mungojnë gjërat elementare për zhvillimin normal të mësimit, gjë që ndikon negativisht në edukimin e nxënësve.
Kemi bërë përpjekje me banorët e fshatit dhe me disa firma ndërtimi, kemi kërkuar ndihmën e institucioneve, por nuk na është ofruar ndihma e nevojshme.
Ju lutemi, konsiderojeni shkollën tonë si pjesë e juridiksionit tuaj!
Besojmë shumë tek ndihma juaj.
Ju urojmë suksese!
Për kolektivin mësues-nxënës të shkollës 9-vjeçare Morinë, Kukës
/a.m.